Procesi i tensionuar i zgjedhjeve në Francë
Procesi elektoral i zgjedhjeve presidenciale në Francë, kanë përshkallëzuar me dhunës mes policisë dhe protestuesve të Marine Le Pen.
Me qindra përkrahës të Marine Le Pen, kryetare e partisë Fronti Kombëtar në Francë dhe kandidat për zgjedhjet presidenciale në këtë vend janë konfrontuar me forcat e policisë në qytetin Nantes. Ndërkohë që në Francë po afrojnë zgjedhjet presidenciale, fushata elektorale po vazhdon me gjithë shpejtësinë e saj. Liderja e partisë radikale të djathë, Marine Le Pen e cila në sondazhet e fundit duket se kryeson garën përgatitet për një miting në Nantes, ndërsa protestuesit në këtë qytet të cilët kundërshtojnë Le Pen janë përplasur me policinë. Njoftimi është bërë i ditur nga Ministria franceze e Punëve të Brendshme. Në një deklaratë me shkrim kjo ministri thotë se një grup prej 2 mijë personash kanë organizuar një protestë me qëllim pengimin e mitingut të Le Pen në qytetin Nantes. Grupi i protesutesve thuhet se përbëhej nga të majtë dhe radikalë të majtë. Protestuesit mbanin në duar pankarta si, “Nuk mund të kalojë fashizmi”, etj. Në deklaratën e ministrisë thuhet se protestuesit kanë sulmuar bizneset dhe kanë bllokuar rrugët duke mos lejuar kalimin e automjeteve dhe tramvait. Ndërsa pas përshkallëzimit të situatës policia ka përdorur gaz lotsjellës. Në deklaratën me shkrim thuhet gjithashtu se në këto ngjarje të paktën 11 efektivë kanë mbetur të plagosur, ndërsa janë arrestuar 4 persona. Nga ana tjetër Kryeministri i vendit, Bernard Cazeneuve, ka deklaruar se do të nisë një fushatë kundër partisë radikale të djathtë. “Është detyra ime të tregoj qytetarëve që fushtata e radikalëve të djathtë është e mbushur me gënjeshtra dhe është një rrugë pa krye”, ka thënë ai. Ndërsa në një deklaratë për gazetën JDD, ai është shprehur: “Do të jetë shumë vonë kur populli të kuptojë gënjeshtrat. Dëmi që do të shkaktohet do të jetë i pallogaritshëm”. Fushata për zgjedhjet presidenciale franceze mori një kthesë edhe më dramatike, pas akuzave për korrupsion që vënë në shënjestër kandidatët kryesorë të saj. Shpresat e kandidatit republikan Francois Fillon për të fituar zgjedhjet morën një tjetër goditje, pasi prokurorët francezë emëruan një gjyqtar që do të nisë hetimet kundër tij. Ai akuzohet se ka paguar bashkëshorten dhe fëmijët për punë fiktive. Duke përfshirë një gjykatës në atë që deri tani ishte hetim paraprak, prokurori shton burimet e hetimit. Deri vonë, Fillon ishte favoriti për të fituar zgjedhjet që do të zhvillohen në dy raunde, në prill dhe maj, por tani po përballet me trysni në rritje për t’u tërhequr nga gara. Sondazhet e fundit sugjerojnë se republikani qëndron shumë prapa udhëheqëses së ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, ndërsa gjendet kokë më kokë me kandidatin e pavarur të qendrës, Emanuel Macron. E përjavshmja satirike “Le Canard Enchaine” ishte ajo që publikoi skandalin, duke pretenduar se bashkëshortja e Fillon, Penelope ishte paguar me mijëra euro për një punë që mund të mos e kishte kryer. Sipas çiftit, gruaja ka qenë e punësuar në mënyrë të ligjshme, si asistentja parlamentare e Fillon. Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu pretendimet për pagesën e dy fëmijëve të çiftit me më shumë se 80 mijë euro, kur babai i tyre ishte senator në vitet 2005 dhe 2007. Edhe Marine Le Pen është vënë në qendër të akuzave se ka paguar me fondet e Parlamentit Evropian dy bashkëpunëtorë të ngushtë të saj.