Fushatë dramatike për zgjedhjet presidenciale në Francë
https://parstoday.ir/sq/news/world-i46098-fushatë_dramatike_për_zgjedhjet_presidenciale_në_francë
Gara e zgjedhjeve presidenciale në Francë po karakterizohet nga sulme dhe kundërsulme të kandidatëve potencialë në këto zgjedhje. Interesant është fakti se kandidatët po akuzohen për korrupsion dhe skandale.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Mars 02, 2017 03:23 Europe/Tirane
  • Fushatë dramatike për zgjedhjet presidenciale në Francë

Gara e zgjedhjeve presidenciale në Francë po karakterizohet nga sulme dhe kundërsulme të kandidatëve potencialë në këto zgjedhje. Interesant është fakti se kandidatët po akuzohen për korrupsion dhe skandale.

Pas skandalit të pagesave fiktive dhe njoftimeve, më pas të përgënjeshtruara për ndalimin e së shoqes nga autoritetet, kandidati i qendrës së djathtë franceze, François Fillon anuloi një takim me kryesinë e partisë dhe njoftoi se do të dilte me një deklaratë për shtyp. Shumë menduan se kjo lëvizje e papritur do të sillte njoftimin e tërheqjes së tij nga gara për president, por ndodhi pikërisht e kundërta. Fillon u zotua ta vazhdojë fushatën presidenciale, megjithëse tashmë është vënë zyrtarisht nën hetim për shpërdorim të fondeve publike. “Nuk do të dorëzohem, nuk do të largohem nga gara. Do të luftoj deri në fund, sepse kjo shkon përtej personit. Në këtë rast, ajo që po sfidohet është demokracia”, tha François Fillon. Fillon nuk i ka pranuar asnjëherë akuzat e gazetës satirike “Le Canar Enchaine” për punësimin fiktiv të së shoqes, Penelope, të paguar nga fondet publike për një punë të cilën nuk e ka kryer. Kandidati konservator këmbëngul se bashkëshortja e tij ka punuar vërtet për të, por kjo nuk e zbuti skandalin që i kushtoi shtrenjtë në sondazhe ish-kryeministrit francez, të konsideruar deri vonë si favorit i qartë për presidencën franceze. Për francezët, veprimi në vetvete ngre shumë pikëpyetje lidhur me transparencën dhe llogaridhënien në qeverisje. Nga ana tjetër, deputetët europianë votuan për të hequr imunitetin e kryetares së Këshillit Kombëtar të Francës, Marine Le Pen, në mënyrë që të lejojnë prokurorët francezë të ndërmarrin hapa ligjore kundër udhëheqëses së të djathtës ekstreme, për publikimin e imazheve të vrasjeve të kryera nga ISIS. Anëtarët e Komitetit për Çështjet Ligjore të PE-së mbështetën me shumicë dërrmuese heqjen e imunitetit të Le Pen, pas kërkesës së prokurorit të komunës Nanterre në Paris. Vendimi për t’i dhënë fund imunitetit të Le Pen pritet të konfirmohet nga deputetët europianë gjatë sesion plenar të së enjtes, por ky konsiderohet si një formalitet pas aprovimit të komitetit. Ky u fundit votoi me 18 vota pro dhe vetëm 3 kundër për heqjen e imunitetit të Le Pen. Sipas ligjit francez, dënimi maksimal për shpërndarjen e imazheve të dhunshme është 3 vite burg dhe një gjobë prej 75 mijë eurosh. Ekspertët thonë se kjo çështje ligjore ndaj Le Pen pritet të përfundojë shumë kohë pas zgjedhjeve presidenciale franceze, ku kryetarja e Frontit Nacional pritet që të arrijë në balotazh. Gjithashtu, kandidati për president të Francës, Emmanuel Macron është goditur me vezë në fytyrë gjatë një vizite në një panair tregtar. Macron ishte duke  biseduar me të pranishmit kur befasisht goditet me vezë në fytyrë, me ç’rast ndërhyri pjesëtari i sigurimit të tij i cili e largoi nga turma. Por kjo nuk është hera e parë që Macron është goditur me vezë. Gjatë vitit të kaluar gjatë një proteste të organizuar ,ish-ministri i financave është goditur me vezë nga turma. Këtyre zhvillimeve dramatike u shtohet edhe incidenti me të shtëna me armë zjarri gjatë fjalimit të presidentit francez Francois Hollande, ku dy persona u plagosën.