Rritet presioni ndaj Fillon
Rritet në mënyrë konstante presioni ndaj kandidatit presidencial të dërrmuar nga skandali, François Fillon për të hequr dorë nga gara, ndërsa dhjetëra deputetë dhe senatorë kanë braktisur së fundmi fushatën e tij, duke paralajmëruar se po e çon të djathtën franceze drejt katastrofës elektorale.
Thierry Solère, deputet dhe ish-shef i fushatës së Fillon, ishte i fundit nga thuasje 60 zyrtarë të zgjedhur, që braktisën kandidatin dhe atë që mbështetësin e shqetësuar të partisë po e quajnë “anija që po mbytet” e Fillon. Në të njëjtin kuadër, ish-ministrja e djathtë Nadine Morano tha se Fillon duhet të dorëhiqet si kandidat, pasi ka marrë një rrugë pa krye dhe, ndërsa mundësitë e tij elektorale janë zvogëluar qartësisht, mund të dëmtojë rëndë të djathtën. Fillon pranoi këtë javë se po hetohet për paga të konsiderueshme që kanë marrë gruaja dhe fëmijët e tij pa bërë asnjë punë dhe, megjithëse ka mohuar çdo gabim, sondazhet tregojnë se popullariteti i tij është në rënie të lirë. Arsye, përse ekspontentët e së djathtës franceze kërkojnë që ai të braktisë garën dhe të zëvendësohet nga dikush tjetër, për të kufizuar sa më shumë dëmet politike. Megjithëse nuk mbështetet nga e gjithë e djathta, duket se Alain Juppe, ish-kryeministër dhe kryebashkiaku aktual i Bordosë, është gati ta zëvendësojë. Por këmbëngulja e Fillon për të vazhduar garën është një pengesë e madhe, ndërsa e djathta franceze i drejtohet zgjedhjeve me shumë telashe.