Europianët irritohen nga deklaratat e Erdoganit
Ministrat e Jashtëm të vendeve europiane shprehën keqardhjen për deklaratat e presidentit turk kundër qeverisë gjermane dhe i kërkuan Erdoganit të heqë dorë nga të tilla deklarata që kanë qëllime elektorale, por që mund të dëmtojnë rëndë marrëdhëniet BE-Turqi.
Ministrat Jashtëm të BE të mbledhur në Bruksel i cilësuan “të pabaza” dhe “boshe” deklaratat e presidentit turk Erdogan kundër autoriteteve gjermane dhe i dënuan këto deklarata. Një ditë më parë, Erdogan akuzoi Gjermaninë se po përdor praktika naziste pas ndalimit në fund të javës së kaluar nga ana e autoriteteve lokale gjermane të tubimeve elektorale në favor të “po” në referendumin e 16 prillit në lidhje me zgjerimin e kompetencave të presidentit në Turqi. Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka thënë sot se “absolutisht nuk ka asnjë justifikim” për komentet e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan. Kancelarja gjermane pranoi se mes Ankarasë dhe Berlinit ka dallime të thella mbi shumë çështje, siç është liria e medias dhe sa i përket arrestimit të gazetarit gjermano-turk, Deniz Yucel. Sidoqoftë, ajo tha se Gjermani vazhdon të jetë e përkushtuar për lirinë e medias, për shpehjen e mendimit dhe do të vazhdojë të lejojë politikanët turk të bëjnë fushatë në Gjermani për referendumin për ndryshimet kushtetuese, por këto vizita duhet të njoftohen me kohë dhe të respektojnë ligjet gjermane.