Shtohen presionet ndaj emigrantëve
Në kuadër të shtimit të presioneve ndaj emigrantëve, ministri i brendshëm i Gjermanisë ka mirëpritur dhe mbështetur ndërtimin e mureve ndarës të Evropës për ndalimin e futjes së emigrantëve.
Thomas De Maizer ministër i brendshëm i Gjermanisë ka mbështetur idenë e shtimit të masave të kontrollit nëpër kufijtë e Evropës dhe ndërtimin e mureve ndarës për ndalimin e futjes së emigrantëve në BE. Gjermania është vendi i dytë pas Hungarisë e cila mbështet ndërtimin e mureve dhe gardheve me tela me gjemba për parandalimin e futjes së emigrantëve në kufijtë e BE. Moti i ftohtë dhe me shi nuk ka ndalur makinat e rënda që po punojnë për të vendosur barrierën e re të gardhit që ndan kufirin mes Hungarisë dhe Serbisë. Punëtorët zotohen se puna në 170 km vijë kufitare do të përfundojë deri më 1 maj. Barriera po ndërtohet na afërsi të vendkalimit të rregullt kufitar dhe afër pikës ku kalojnë refugjatët dhe emigrantët. Çdo ditë autoritet hungareze lejojnë hyrjen e 5 personave nëpërmjet dyerve rrotulluese prej hekuri. Mohammad Rahim Bahshi’s do të kalojë kufirin, duke i dhënë kështu fund edhe udhëtimit të rrezikshëm prej 13 muajsh. Kur nisa udhëtimin nga Pakistani, pagova 2,500 dollarë për çdo anëtar të familjes. Më pas nga Greqia në serbi pagova 1,300 dollarë për secilin nga ne tek kontrabandistët pakistanezë. Në total nga Turqia në Greqi e serbi kam shpenzuar rreth 27 mijë dollarë – thotë Muhamed. Për Muhamedin paratë e shpenzuara ia kanë vlejtur sa kohë ai ka shpresë të nisë një jetë të re në një nga vendet e Bashkimit Evropian, por për shumë të tjerë që ndjekin të njëjtat hapa si të familjes së tij, rregullat e reja të qeverisë hungareze dhe ligjet që shoqërojnë kufirin mund të rezultojnë një pengesë e madhe. Unë jam dakord që të mos lejohet hyrja e mijëra njerëzve në territorin e bashkimit evropian pa mbikëqyrje, por ne nuk duhet të harrojmë se pjesa më e madhe vjen nga vendet në konflikte të armatosur. Ndërtimi i murit përballë këtyre njerëzve, nuk është përgjigja e duhur,– shprehet Agnes Szoke-toth, bashkëthemeluese e organizatës joqeveritare MigSzol. Pavarësisht presionit publik nga OJQ-të dhe anëtarët e shoqërisë civile, kritikave nga ndërkombëtarët, qeveria hungareze ka vendosur të çojë përpara ndërtimin e shtresës së dytë të murit përgjatë kufirit me Serbinë me qëllim ndalimin e fluksit të emigrantëve. Vendet evropianë kanë pranuar më pak se 10% të 160 000 refugjatëve që premtuan të strehojnë për t’i larguar nga kampet e mjerueshme dhe të mbipopulluara të Italisë dhe Greqisë. Kjo shkelje e detyrimit të marrë përsipër bëri që komisioni evropian të reagojë duke thënë se nuk do të pranojë më justifikime. Vetëm 13 546 refugjatë janë risistemuar në vendet e BE-së nga Italia dhe Greqia, shifër që përbën 8% të totalit që BE mori përsipër të rishpërndajë në vitin 2015. Malta dhe Finlanda janë të vetmet shtete anëtare të BE që kanë plotësuar detyrimin e tyre në kuadër të skemës së strehimit që mbyllet në shtator.