Miratimi i ligjit të ri për emigracionin në Hungari
Parlamenti i Hungarisë ka miratuar një ligj të ri i cili lejon policinë të arrestojë të gjithë emigrantët e pranishëm në këtë vend. Sipas ligjit të ri, emigrantët do të mbahen në kampet e përqendrimit në kufi, deri në kohën kur atyre tu qartësohet kërkesa për azil.
Kërkesa e çdo emigranti që bëhet nga Serbia apo ndonjë vend i tretë i sigurt, në bazë të ligjit të ri nuk konsiderohet funksionale dhe kërkesa për rishikimin e dokumentacionin ulet në tre ditë ndërkohë që emigrantët duhet të paguajnë shpenzimet e strehimit gjatë kohës së arrestimit të tyre. Hungaria është një prej vendeve që kundërshton ashpër futjen e emigrantëve në BE dhe qeveria e këtij vendi mban qëndrime anti-emigracion. Në këto kushte grupet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut nga Komisioni Evropian kanë kërkuar që të pengojë Hungarinë dhe të mos lejojë miratimin e ligjit shumë të përfolur kundër emigrantëve. Ky ligj bie ndesh me ligjet e BE, ato të të drejtave të njeriut dhe me ligjet për emigrantët. Megjithatë parlamenti hungarez mbështeti bindshëm projektligjin për të detyruar ndalimin e të gjithë azilkërkuesve në kampet që do të ngrihen në kufijtë jugorë të vendit, ndërsa kryeministri Viktor Orban e quajti emigracionin si 'kal troje' për terrorizmin. "Kriza e emigracionit do të zgjasë derisa të luftohen të gjitha shkaqet e saj dhe derisa të pranohet kudo se emigracioni është kali i Trojës së terrorizmit. Ligjet janë të detyrueshme për të gjithë, e nuk kanë pse të bëjnë përjashtim emigrantët që përpiqen të hyjnë ilegalisht në vend", tha Orban. Ky hap ka alarmuar Organizatën e Kombeve të Bashkuara, që e sheh atë si shkelje të ligjeve ndërkombëtare. Sipas zëdhënëses së UNHCR-së, Cecile Pouilly, masa që parashikon edhe ashpërsimin e kontrollit në kufijtë hungareze, do të ketë ndikime të tmerrshme fizike dhe psikologjike tek azilkërkuesit. "Praktikisht kjo nënkupton se çdo azilkërkues do të mbahet i mbyllur në kontenierë të rrethuar me tela me gjemba për një periudhë të gjatë kohe. Ligji shkel detyrimet ndërkombëtare të Hungarisë", thotë ajo. Kufiri jugor me Serbinë shënon edhe vijën e jashtme kufitare të zonës Shengen të Bashkimit Evropian dhe qindra-mijëra vetë e kanë kaluar atë. Azilantëve që nuk do t’u aprovohen menjëherë kërkesat, nuk do të lejohen të lëvizin lirshëm në Hungari, por do të mbahen të mbyllur në kampe, e do të mund të largohen vetëm në drejtim të Serbisë. Moti i ftohtë dhe me shi nuk ka ndalur makinat e rënda që po punojnë për të vendosur barriren e re të gardhit që ndan kufirin mes Hungarisë dhe Serbisë. Punëtorët zotohen se puna në 170 km vijë kufitare do të përfundojë deri më 1 maj. Barriera po ndërtohet na afërsi të vendkalimit të rregullt kufitar dhe afër pikës ku kalojnë refugjatët dhe emigrantët. Çdo ditë autoritet hungareze lejojnë hyrjen e 5 personave nëpërmjet dyerve rrotulluese prej hekuri. Pavarësisht presionit publik nga OJQ-të dhe anëtarët e shoqërisë civile, kritikave nga ndërkombëtarët, qeveria hungareze ka vendosur të çojë përpara ndërtimin e shtresës së dytë të murit përgjatë kufirit me Serbinë me qëllim ndalimin e fluksit të emigrantëve.