Rusia ka vendosur raketa për ta kërcënuar NATO-n
(last modified Wed, 08 Mar 2017 18:50:42 GMT )
Mars 08, 2017 19:50 Europe/Tirane
  • Rusia ka vendosur raketa për ta kërcënuar NATO-n

Zëvendësshefi i Shtatmadhorisë së bashkuar të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, Paul Selva, thotë se Rusia ka vendosur raketa me koka atomike, që paraqesin shkelje të “frymës dhe qëllimit” të marrëveshes për kontrollin e armatimit bërthamor të periudhës së Luftës së Ftohtë, dhe këtë e ka bërë për “të paraqitur kërcënim për NATO-n”.

Gjenerali Paul Selva, që është oficeri i dytë më i lartë në ushtrinë amerikane, ka konfirmuar sot se Rusia ka vendosur raketa me mbushje atomike, që lansohen nga toka të tipit, SSC-8. Më tutje, duke folur në Komitetin e Shërbimeve të Armatosura të Dhomës Përfaqësuese të Kongresit amerikan, Selva tha se “vetë sistemi paraqet rrezik për pjesën më të madhe të kapaciteteve” të Shteteve të Bashkuara në Evropë. “Ne besojmë se rusët qëllimisht i kanë vendosur ato me synim që të paraqesin kërcënim për NATO-n dhe për kapacitetet brenda hapësirës së përgjegjësisë së NATO-s”. Ish-presidenti, Barack Obama, e pat akuzuar Rusinë për shkelje të marrëveshjes, por dëshmia e gjeneralit Selva, ishte konfirmimi i parë publik i raporteve të reja aktuale se Rusia në mënyrë sekrete i ka vendosur raketat. Nga ana e saj Moska deklaron se masat e marra prej saj janë reagim i ekspansionit të NATO-s drejt lindjes.

 

Tags