Kryeministrja britanike kundër pavarësisë së Skocisë
Qeveria britanike pritet të refuzojë thirrjet për një referendum të dytë pavarësie në Skoci përpara “Brexit”-it, kjo sepse kryeministrja Theresa May është shprehur se “nuk është koha e duhur”.
Kreu i ekzekutivit britanik tha se fokusi tashmë duhet të kthehet te sigurimi i marrëveshjes më të mirë të mundshme në negociatat e “Brexit” për Mbretërinë e Bashkuar në tërësi. Udhëheqësja e konservatorëve skocezë, Ruth Davidson tha se kërkesa e Nicola Sturgeon për votimin brenda pranverës së vitit 2019 do të refuzohet përfundimisht. Ministrja e parë e Skocisë, ndërkohë, ka thënë se bllokimi i referendumit do të sillte një “zemërim demokratik”. Sturgeon, udhëheqësja më e lartë skoceze, tha se ky është një argument për pavarësi në kuptimin e plotë të fjalës, të cilin zyrtarë të “Westminster” mendojnë se kanë të drejtën ta bllokojnë, pikërisht mandatin e zgjedhur demokratikisht të qeverisë skoceze dhe shumicës së Parlamentit skocez. “Ju e dini se historia do t’u rikthehet ditëve të sotme dhe do ta shohë këtë të mërkurë si ditën kur fati i unionit është nënshkruar”. Sturgeon bëri thirrje për mbajtjen e një referendumi të dytë në vjeshtën e 2018-s apo pranverën e 2019-s, gjë që në fakt përputhet me afatin përfundimtar të negociatave mbi daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian. Por May këmbëngul kur thotë se mesazhi i saj ndaj Sturgeon ka qenë dhe është shumë i qartë: Tani nuk është koha! Skocia votoi 55% në favor të qëndrimit në Britaninë e Madhe në referendumin e shtatorit 2014, por pas vendimit të vitit të kaluar për “Brexit”, Sturgeon kërkon një tjetër referendum për vendin.