Rezultati i zgjedhjeve në Hollandë, humbje për populistët
https://parstoday.ir/sq/news/world-i47172-rezultati_i_zgjedhjeve_në_hollandë_humbje_për_populistët
Rezultati i fundit i zgjedhjeve në Hollandë është humbje e thellë për populistët dhe rrymat radikale në këtë vend dhe në vendet e tjera të Evropës.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Mars 17, 2017 04:42 Europe/Tirane
  • Rezultati i zgjedhjeve në Hollandë, humbje për populistët

Rezultati i fundit i zgjedhjeve në Hollandë është humbje e thellë për populistët dhe rrymat radikale në këtë vend dhe në vendet e tjera të Evropës.

Zgjedhjet në Holandë konsideroheshin si të parat e tre testeve kyçe për të ardhmen e Evropës, por mundja e partisë ekstremiste të Geert Wildersit tregoi, sipas ekspertëve, se viti i të ashtuquajturave 'super zgjedhje' nuk do të rezultojë fatal, siç pritej. Analisti i Qendrës së Politikave Evropiane, thotë se triumfi i liberalëve përballë platformës anti-BE dhe anti-islame  në Holandë, zbut frikën e fitores së partive të ekstremit të djathtë në vende të tjera, si Franca apo Gjermania ku do të votohet së shpejti. "Mendoj se krahasuar me frikën që përjetuam në 2016-n pas Brexit dhe zgjedhjes së Donald Trumpit President, ajo se viti i superzgjedhjeve në Evropë mund të shkojë drastikisht më keq, nuk po rezulton e saktë", thotë ai. Rezultati nuk ishte vetëm një zhgënjim për Wilders, i cili kryesoi sondazhet deri në ditët e fundit të fushatës, por edhe për Frontin Nacional në Francë dhe AFD-në në Gjermani, që shpresonin që zgjedhjet holandeze të ishin fillimi i një epoke të re në Kontinentin e Vjetër. Vetë Marin Le Pen preferoi të heshtte dhe reagimi i parë i partisë ishte ai i Sekretarit të Përgjithshëm Nicolas Bay, i cili e vuri theksin tek rritja e vendeve në Parlament të fituara nga partia nacionaliste e Wildersit. Ndërsa liderja e partisë populiste gjermane AFD, Frauke Petry pranoi se rezultati nuk ishte ai që  pritej, por shtoi se platforma politike e Wildersit kishte përcaktuar zgjedhjet e këtij viti në Holandë. Fitorja e Kryeministrit Mark Rutte u reflektua edhe në bursa ku euro shënoi rritje.  Fitorja e partisë së qendrës së djathtë në Holandë ka  qetësuar shumë Bashkimin Evropian, veçanërisht Gjermaninë. Kancelarja gjermane Angela Merkel ka përshëndetur fitoren e kryeministrit Mark Rutte si një sinjal pozitiv pro Bashkimit Europian. Zyrtarët gjermanë shpresojnë të ndodhë e njëjta  gjë edhe në Francë. Kancelarja gjermane Angela Merkel ka përshëndetur fitoren e partisë së Qendrës së Djathtë të kryeministrit Mark Rutte përballë partisë anti islame e anti evropiane të udhëhequr nga Geert Wilders. Gjatë një konference për demografinë, kancelarja u shpreh: Holandezët janë partnerët, miqtë dhe fqinjët tanë.  Për këtë arsye unë jam shumë e lumtur që shumica e holandezëve votuan pro Bashkimit Evropian. Rezultatin e zgjedhjeve në Holandë i ka përshëndetur më herët edhe kandidati për kancelar Martin Schulz. Unë mendoj se humbja e Wilders është një sinjal i mirë kundër paragjykimeve të grupeve të caktuara etnike  dhe racizmit. Ministri i Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel shprehet gjithashtu i lumtur për humbjen e Partisë së Lirisë. “Jam i lumtur nga humbja e Ëilders. Është një sinjal i fortë për Evropën. Kjo tregon se Holanda është një nga vendet kryesore evropiane. Jam i sigurt se edhe në Francë, demokratët dhe pro evropianët do të shënojnë fitore”. Por teksa Euroja dhe veçanërisht Gjermania është më e qetë, me shpresën se edhe në vendet e tjera do të këtë frenim të populizimit, Turqia e shikon rezultatin në një tjetër këndvështrim. Turqit shpresojnë në një përmirësim të klimës mes dy vendeve, pas tensioneve të mëdha që krijuan deklaratat e presidentit Rexhep Taip Erdogan se holandezët janë mbetje naziste.