Trump dëshiron të vizitojë Kinën
Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson i ka thënë presidentit kinez Xi Jinping se presidenti amerikan Donald Trump do të vizitojë Kinën me qëllim që të përmirësojë mirëkuptimin mes dy shteteve.
Tillerson u takua me udhëheqësin kinez në Pekin, në “Sallën e Madhe” të popullit, në fund të turneut të tij në lindje të Azisë. Xi tha se ishte i lumtur që kishte parë mjaft progres në takimet e kryediplomatit amerikan. “Ju thatë se marrëdhëniet mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara mund të jenë vetëm miqësore dhe unë e vlerësoj këtë”, deklaroi presidenti kinez, i cili shtoi se kishte folur disa herë me Trumpin. Samiti i planifikuar vjen pas kontakteve dhe bisedimeve të fundit amerikano-kineze në përpjekjet për ripërtëritjen e lidhjeve pas retorikës së ashpër disamujore të presidentit Trump. Muajin e kaluar, sekretari shtetëror kinez Yang Jiechi vizitoi Uashingtonin për të biseduar për lidhjet ekonomike dhe interesat e sigurisë.