Gjermania paralajmëron mbi përçarjet e Turqisë
Thomas De Maiser, ministër i brendshëm i Gjermanisë duke folur mbi tensionet e fundit mes Ankarasë dhe Berlinit tha se Turqia me qëllim të caktuar ka ndërmarrë veprimtari përçarëse kundrejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane në një kohë kur të tilla veprime janë të papranueshme.
Kohët e fundit marrëdhëniet mes Turqisë, Hollandës dhe Gjermanisë janë shtuar tensionuar për shkak fushatës për referendumin në Turqi. Turqia thotë se ka gjasa që ministrat e Turqisë mund të planifikojnë një tubim tjetër në Gjermani, përpara referendumit të 16 prillit, një lëvizje e cila mund të tensionojë më shumë raportet në mes të Ankarasë dhe Berlinit. Kjo deklaratë është bërë nga Ibrahim Kalin, zëdhënës i presidentit Recep Tayyip Erdogan, gjatë një interviste dhënë sot për CNN në gjuhën turke. Më herët, Kalin ka kritikuar autoritetet gjermane për lejimin e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PPK) që të mbajnë tubime në Gjermani. Rreth 30,000 kurdë janë mbledhur në qendrën e Frankfurtit më 18 mars, për të protestuar kundër referendumit, i cili do t’ia rrisë kompetencat presidentit Ergodan. Turqia e dënoi këtë demonstratë duke e quajtur “të papranueshme”, ndërsa akuzoi Gjermaninë për hipokrizi që lejoi zhvillimin e saj. Një mosmarrëveshje diplomatike është përshkallëzuar mes dy vendeve, që kur Gjermania refuzoi të lejonte ministrat turq të zhvillonin mitingje proqeveritare në vendin europian, dy javë më parë. Zëdhënësi i Erdoganit, Ibrahim Kalin tha përmes një deklarate se “është e papranueshme të shohësh simbolet dhe sloganet e PKK-së, në një kohë kur ministrat dhe ligjvënësit turq u ndaluan të takoheshin me qytetarët e tyre që jetojnë në emigrim. Ne u kujtojmë edhe njëherë vendeve europiane se, më 16 prill, vendimi do të merret nga kombi turk dhe jo nga Europa”. Një zëdhënës i policisë gjermane e përshkroi protestën e në Frankfurt si paqësore. Shumë demonstrues mbanin parulla të partisë së jashtëligjshme PKK, e cila lufton ndaj shtetit turk prej më shumë se 3 dekadash. Më shumë se 40 mijë njerëz janë vrarë, që kur PKK-ja nisi kryengritjen në vitin 1984, ndërsa si Bashkimi Europian, ashtu dhe Shtetet e Bashkuara, e konsiderojnë atë si organizatë terroriste. Pas ndalimit të disa tubimeve të ministrave turq në Holandë dhe Gjermani, tensionet mes Ankarasë dhe Evropës janë rritur. Erdogan ka akuzuar Gjermaninë për “praktika naziste”, ndërkaq Holandën e ka fajësuar për Masakrën e Srebrenicës. Turqia po ashtu ka kërcënuar se do të dërgojë 15 mijë refugjatë në Bashkimin Evropian, duke thënë se mund të largohet nga marrëveshja me BE-në, për ndaljen e fluksit të refugjatëve. Nga ana tjetër shefi i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker ka paralajmëruar Turqinë se çdo kthim i dënimit me vdekje në vend, do të ishte “vija e kuqe” e ofertës së anëtarësimit të këtij shteti në Bashkimin Evropian. “Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se pritet që Parlamenti turk të rivendosë dënimin me vdekje pas referendumit të muajit të ardhshëm për ndryshimet kushtetuese dhe se ai do ta dekretonte menjëherë. Megjithatë, Juncker shtoi se nuk ishte dakord me ndalimin e plotë të negociatave për anëtarësimin e Turqisë në BE. Ministri i Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel shkoi edhe më tej, duke thënë në një intervistë për Der Spiegel: “Ne jemi më larg se kurrë për pranimin e Turqisë në BE”.