Hapi i parë drejt zbatimit të Brexit
Kryeministrja e Britanisë, Theresa May, do të aktivizojë të mërkurën e ardhshme nenin 50 të Traktatit të Lisbonës, që përbën edhe hapin e parë të daljes nga Bashkimi Europian.
Shefja e ekzekutivit britanik ka lajmëruar se përmes një letre që do t’i adresojë Këshillit Europian, do të kërkojë nisjen e negociatave të daljes, sa më shpejt të jetë e mundur. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i zyrtarëve të Brukselit, të cilët nënvizojnë se janë gati për nisjen e këtij procesi dhe se po presin lëvizjen e Britanisë. Pas daljes nga BE, Britania do të largohet nga tregu i përbashkët europian, ndaj pritet të shihet se çfarë akordi do të arrihet për shkëmbimet tregtare. Mes palëve ka edhe një sërë çështjesh të tjera të ndjeshme, ku përfshihet emigracioni. Miliona qytetarë europianë kanë siguruar leje-qëndrimi në Britani në bazë të rregullave aktuale, ndaj kjo e drejtë e tyre mund të humbasë pas largimit të Britanisë nga blloku i kontinentit të vjetër. Ende nuk dihet se sa mund të zgjasë procesi i negociatave, por ekspertët parashikojnë se bisedimet do të kërkojnë afro 2 vite. Marrëveshja që do të arrihet do të duhet që më pas të ratifikohet nga të gjitha vendet anëtare, teksa përgjatë kësaj periudhe kohore, Britania do të konsiderohet si pjesë e BE-së.