Juncker: Brexit-i është tragjedi
Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, është shprehur se mbajtja e takimit solemn me rastin e 60-vjetorit të Marrëveshjes së Romës, me të cilën u themelua Bashkësia Ekonomike Evropiane, pa pjesëmarrjen e Britanisë së Madhe është “një moment shumë pikëllues”.
Juncker theksoi në samitin e liderëve të 27 anëtareve të tjerë të Bashkimit Evropian se “Brexit, konkretisht dalja e Britanisë, është një tragjedi”. Qytetarët e Britanisë së Madhe vitin e kaluar në referendum votuan për daljen nga Bashkimi Evropian. Për të mërkurën e ardhshme Britania ka paralajmëruar nisjen e procesit dy vjeçar të daljes nga blloku evropian. Dhjetëra mijëra demonstrues pro-evropianë kanë dalë të shtunën në rrugët e Londrës, në shenjë të shënimit të 60-vjetorit të lindjes së Bashkimit Evropian. Organizatorët thanë se rreth 80 mijë njerëz iu bashkëngjitën marshit me të cilin bëhet thirrja për mbetjen e vendit në BE.