Nesër aktivizohet neni për zbatimin e Brexit-it
https://parstoday.ir/sq/news/world-i47796-nesër_aktivizohet_neni_për_zbatimin_e_brexit_it
Kryeministrja britanike Theresa May nis të mërkurën aktivizimin e nenit 50 dhe njofton zyrtarisht bllokun europian për shkëputjen e Britanisë së Madhe nga BE-ja.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Mars 28, 2017 14:52 Europe/Tirane
  • Nesër aktivizohet neni për zbatimin e Brexit-it

Kryeministrja britanike Theresa May nis të mërkurën aktivizimin e nenit 50 dhe njofton zyrtarisht bllokun europian për shkëputjen e Britanisë së Madhe nga BE-ja.

Negociatat mes Londrës dhe 27 vendeve të mbetura anëtare parashikohet të zgjasin dy vjet. Gazeta britanike “The Sun” flet për 60 miliardë euro që Brukseli do t'ia ngarkojë në kurriz Britanisë së Madhe. Fatura e “divorcit” është e kripur. Teorikisht, Mbretërisë së Bashkuar do t’i kërkohen kontribute në buxhetin e BE-së deri në vitin 2022, ose 2023, miratimin e të cilit e ka aprovuar dhe vetë.  Por si May, ashtu dhe Dhoma e Lartë e Parlamentit britanik kanë ngarkuar juristët të verifikojnë gjendjen juridike, të bindur se sapo të realizohet shkëputja, Londra nuk do të jetë më e detyruar t’i paguajë unionit asgjë.  Nga ana e tij, ligjvënësi kristian-demokrat gjerman Reimer Boge, deklaron se vendet që kërkojnë pjesëmarrjen në tregun e përbashkët duhet të hedhin para në arkën e përbashkët. “Gjermania, Holanda, Suedia dhe vende kontribuese të tjera nuk do ta pranojnë kurrë që të paguajnë faturën e një tregu të brendshëm, ku Britania mund te ketë akses pa derdhur asnjë cent”- ka deklaruar ai.  Pavarësisht kostos së procedurës, një gjë është e qartë: liderët e bllokut duan ta tregojnë se ndarja nga BE-ja kushton, ndërsa Britania vetë do të përpiqet ta minimizojë sa më shumë ndikimin financiar të një lëvizjeje të tillë.