Tusk: Një ditë e trishtuar për Brukselin dhe Londrën
Ashtu sikurse ishte bërë e ditur, ambasadori britanik në Bashkimin Evropian, Sir Tim Barrovv, i dorëzoi Presidentit të Këshillit Evropian, letrën zyrtare të dërguar nga Londra ku njoftohet për thirrjen e nenit 50 të Traktatit të Lisbonës, i cili nënkupton edhe hapjen e procedurave zyrtare për daljen e Britanisë nga unioni.
Ky veprim, tashmë u mundëson palëve nisjen e negociatave që do të formësojnë marrëdhënien që do të krijohet pas përmbylljes së procesit të largimit nga blloku. Në fjalën e mbajtur përpara gazetarëve, Tusk deklaroi se kjo nuk është një ditë e lumtur, as për Brukselin dhe as për Londrën. Tusk tha: “Afro gjysma e qytetarëve britanikë kërkuan që ne të qëndrojmë bashkë, dhe të mos ndahemi. Pra, s’ka një arsye të që pretendojmë se kjo është një ditë e lumtur, as për Brukselin dhe as për Londrën. Megjithatë, më duhet të theksoj se dalja e Britanisë, ka bërë që 27 vendet e mbetura anëtare të jenë më të vendosura dhe më të ndërgjegjshme për ruajtjen e unitetit. Na mungoni që tani, faleminderit dhe lamtumirë.” Nga ana tjetër, në Parlamentin britanik, Kryeministrja Theresa May, u shpreh se ishte e ndërgjegjshme që dalja mund të sjellë pasoja për vendin. “Ne e kuptojmë se do të ketë pasoja pas largimit të Britanisë nga BE. NE e dimë se do të humbasim influencë mbi rregullat që ndikojnë ekonominë evropiane. E dimë se kompanitë britanike nuk do të përfitojnë më nga lehtësirat financiare ndaj do të duhet ta bëjmë diçka të tillë me vende përtej oqeanit. Gjithsesi, më duhet të theksoj se ne do të shkojmë në negociata me një frymë konstruktive, me respekt dhe me shpirtin e sinqertë të bashkëpunimit.” Tashmë pritet që ekipet negociatore të ulen dhe të firmosin një marrëveshje për daljen e Britanisë. Në bazë të përllogaritjeve të ekspertëve, ky proces mund të zgjasë deri në dy vite.