Britania zëvendëson ligjet e BE-së
https://parstoday.ir/sq/news/world-i47934-britania_zëvendëson_ligjet_e_be_së
Mijëra ligje të BE-së në Britani, që nga ai për punëtorët e deri tek mjedisi, pritet të anulohen dhe të zëvendësohen me ligjet e Mbretërisë së Bashkuar, në kuadër të një plani të ri.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Mars 30, 2017 14:55 Europe/Tirane
  • Britania zëvendëson ligjet e BE-së

Mijëra ligje të BE-së në Britani, që nga ai për punëtorët e deri tek mjedisi, pritet të anulohen dhe të zëvendësohen me ligjet e Mbretërisë së Bashkuar, në kuadër të një plani të ri.

Detajet e Draftit të Anulimit të Madh, siç njihet ndryshe, janë publikuar nga qeveria britanike një ditë pasi Mbretëria nisi zyrtarisht procesin dyvjeçar të largimit nga Bashkimi Europian. Në një deklaratë drejtuar anëtarëve të Parlamentit, sekretari për Brexit David Davis thotë se, “drafti i anulimit të ligjeve do t’u lejojë bizneseve të vazhdojnë edhe ditën pasi Britania të lërë BE-në, të informuara se rregullat nuk do të ndryshojnë “brenda natës”.  Gjithashtu, të drejtat e punëtorëve, ato të konsumatorëve dhe mbrojtja e mjedisit, që aktualisht janë sipas versioneve të BE-së, do të vazhdojnë të mbeten në fuqi edhe për pak pasi Britania të largohet.  Sidoqoftë, Londra është e vendosur për ndryshimin e madh. “Drafti ynë do t’i japë fund supremacisë së ligjeve të BE-së në Mbretërinë e Bashkuar, bazuar në rezultatet e referendumit të vitit të kaluar”, ka deklaruar Davis.  “Ligjet tona do të hartohen në Londër, Edinburg, Kardif dhe Belfast dhe nuk do të interpretohen nga gjyqtarë të Luksemburgut, por gjyqtarë të Mbretërisë së Bashkuar”, ka thënë Davis.