BE humbi një partner të fuqishëm
Me qasjen e ashpër ndaj largimit të Britanisë së Madhe, blloku europian kërkon të tregojë se nuk do të jetë e lehtë përsëritja e një veprimi të tillë të paprecedent.
Por, Angela Merkel sërish shprehu keqardhjen për vendimin e Londrës, që të mërkurën vuri në lëvizje mekanizmin e shkëputjes. Ne po humbim një partner të fuqishëm dhe të rëndësishëm në BE, deklaroi kancelarja në Berlin, por shpresoj të mbetet në vazhdimësi një partnere e ngushtë. “Për shumë njerëz në Evropë, dalja e Britanisë së Madhe nga blloku lidhet me shqetësimin për të ardhmen e tyre", shpjegon Merkel. Nga ana tjetër, Bashkimi Europian ka përcaktuar strategjinë e tij për “Brexit”-in, teksa lë të kuptohet se bisedimet për tregtinë do të nisin vetëm pas një “progresi të mjaftueshëm” në zgjidhjen e kushteve të divorcit me Britaninë e Madhe. Udhëzimet që janë në formë drafti e që u shpallën nga presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk, në Maltë, duket se favorizojnë një “sjellje përmes disa fazave”. Ato do t’iu dërgohen 27 vendeve anëtare të bllokut për miratim dhe do të përcaktojnë edhe “tonin” e negociatave dyvjeçare. Në Bruksel, shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini tha se blloku mund t’ia dalë edhe pa Britaninë në çështjet e mbrojtjes. Mbretëria e Bashkuara aktivizoi formalisht procesin për “Brexit” ditën e mërkurë, pasi bëri thirrje për bisedime të njëkohshme për kushtet e divorcit dhe marrëdhëniet e ardhshme tregtare.