Rusi - Shpërthim në metronë e Shën Petersburgut, 10 të vdekur
Dy shpërthime kanë ndodhur në San Peterburg të Rusisë, si pasojë e të cilave të paktën 10 persona kanë humbur jetën dhe mbi 30 të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Agjencia e lajmeve ruse, TASS dhe Interfax raportojnë se një nga shpërthimet ka ndodhur në stacionin Sennaya Ploshchad të metrosë së qytetit dhe një tjetër në Institutin Teknologjisë në qendër të Shen Peterburgut.
Imazhet e videove amatore të realizuara me smartfone nga dëshmitarë okularë tregojnë tym dhe panik në stacionin e metrosë.
Zëdhënësi i kremlinit Dmitry Peskov tha se për ngjarjen është informuar edhe presidenti i vendit Vladimir Putin.
Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se po hetohen të gjitha pistat përfshi dhe pista e terrorizmit.
Menjëherë ka nisur evakuimi, ndërsa shtatë stacione metroje në qytet janë mbyllur pas shpërthimit.
Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se ka të vdekur dhe të plagosur nga shpërthimet, ndërkohë që autoritetet po shqyrtojnë të gjitha shkaqet e mundshme, përfshirë edhe terrorizmin.
"Dua të përcjell ngushëllimet më të sinqerta për më të dashurit e viktimave dhe të të plagosurve. Kam folur tashmë me udhëheqësit e shërbimeve speciale, përfshirë drejtorin e Shërbimit Federal të Sigurisë. Agjencitë e zbatimit të ligjit dhe shërbimet speciale janë duke punuar dhe do të bëjnë gjithçka të mundur për të përcaktuar shkaqet dhe shkallën e plotë të asaj që ka ndodhur", tha Putin.