Çfarë fshihet pas sulmit terrorist në Shën Petersburg?
https://parstoday.ir/sq/news/world-i48232-Çfarë_fshihet_pas_sulmit_terrorist_në_shën_petersburg
Sulmi në metronë e Shën Petërsburgut erdhi në një moment kur Moska është rikthyer në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, për një seri të gjatë dosjesh: nga Siria në përplasjen me terrorizmin, tensionet politike e pistat e brendshme, dhe kuadri që shfaqet është ai i një presioni shumë të lartë.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Prill 04, 2017 02:04 Europe/Tirane
  • Çfarë fshihet pas sulmit terrorist në Shën Petersburg?

Sulmi në metronë e Shën Petërsburgut erdhi në një moment kur Moska është rikthyer në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, për një seri të gjatë dosjesh: nga Siria në përplasjen me terrorizmin, tensionet politike e pistat e brendshme, dhe kuadri që shfaqet është ai i një presioni shumë të lartë.

Rusia ende nuk ka një përgjigje të qartë se kush qëndron pas sulmit me bombë në metronë e Shën Petërburgut. I dyshuari besohet se është një aziatik rreth të njëzetave, ndërsa ka raportime jozyrtare se  një i dyshuar është vetëdorëzuar në polici për të deklaruar se nuk është ai fajtori.  12 persona gjetën vdekjen dhe rreth 50 të tjerë u plagosën, si pasojë e shpërthimit në një tren. Një mjet plasës i pashpërthyer u gjet dhe u neutralizua më pas nga forcat e sigurisë.  Kryeministri rus Dimitri Medvedev, në një postim në Facebook, e cilësoi një sulm terrorist, por hetimet po fokusohen edhe në pista të tjera, si ajo e sulmit nga nacionalistë çeçenë. Në javët e fundit ka patur një shtim të operacioneve terroriste në rajonin e Daghestanit, një sinjal i largët, por në të njëjtën kohë i afërt për potencialet e ekstremistëve. Terrorizmi, i cilësdo ngjyrë qoftë, vepron sipas mundësive që shfaqen, sidomos kur gjen një dritare për veprim. Por përpiqet edhe të godasë në faza delikate dhe momente simbolike. Sulmi i Shën Petërsburgut mund të futet në këtë kornizë dramatike. Për momentin është e parakohshme të hidhen hipoteza, por mund të tregohen vetëm disa pika. Prej kohësh, Rusia është në shënjestër të terroristëve, nga ISIS tek al Kaeda. Përplasjes historike i është shtuar helmi për ndërhyrjen e Moskës në krah të qeverisë siriane, prani që shtyu terroristët që të premtonin hakmarrje. Afro një vit më parë, policia parandaloi një plan sulmi kundër Shën Petërsburgut dhe Moskës, organizuar nga një celulë terroristësh. Për ekspertët, rrjeti ruso-çeçen i ISIS ka krijuar prej kohësh struktura që i lejojnë të veprojë edhe në EUropë: duhet kujtuar që masakra në aeroportin e Stambollit në korrik 2016, u organizua pikërisht nga ky “krah” i lëvizjes së udhëhequr nga Akhmad Chataev. Edhe sulmi i fundvitit, sërish në Stamboll, brenda një klubi nate u krye nga një element i krahut të Kaukazit. Por duhet theksuar se sulmi në metronë e Shën Petërsburgut ndodhi në një moment me tension shumë të madh politik në Rusi, me incidente, kontestime, arrestime. Gjithashtu, Presidenti rus, Vladimir Putin ndodhej në qytet kur ndodhi sulmi, kështu që mund të jetë edhe një mesazh i drejtpërdrejtë për udhëheqësin rus.