OKB do të hetojë sulmin e dyshuar kimik në Siri
https://parstoday.ir/sq/news/world-i48360-okb_do_të_hetojë_sulmin_e_dyshuar_kimik_në_siri
Hetuesit e Kombeve të Bashkuara për krime lufte hapën hetimet e një sulmi të dyshuar kimik në provincën Idlib të Sirisë, i cili ka lënë të vdekur së paku 58 veta.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Prill 05, 2017 09:27 Europe/Tirane
  • OKB do të hetojë sulmin e dyshuar kimik në Siri

Hetuesit e Kombeve të Bashkuara për krime lufte hapën hetimet e një sulmi të dyshuar kimik në provincën Idlib të Sirisë, i cili ka lënë të vdekur së paku 58 veta.

Komisioni i OKB-së për Hetime e dënoi po ashtu sulmin e së martës. Në deklaratën e tij dënohen edhe sulmet e dyshuara mbi një objekt mjekësor, ku po trajtoheshin viktimat e sulmit të dyshuar kimik. “Të dyja veprimet do të llogariten si krime lufte dhe shkelje serioze e ligjit të të drejtave të njeriut”, thanë hetuesit e OKB-së. I dërguari i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura, u tha gazetarëve në Bruksel se, në bazë të të gjithë treguesve, “sulmi ka qenë kimik dhe është kryer nga ajri”. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme më 5 prill, për të diskutuar incidentin. Vëzhguesi Sirian i të Drejtave të Njeriut, grup që monitoron luftën në Siri, pretendoi se sulmi në qytetin Khan Sheikhoun, i cili kontrollohet nga rebelët, është kryer nga avionë të Qeverisë siriane, ose asaj ruse. Të vrarët përfshijnë së paku 11 fëmijë. Qeveria e presidentit sirian, Bashar al-Assad, mohon se përdor armë kimike dhe akuzon terroristët për përdorimin e tyre. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se avionët e saj nuk kanë kryer asnjë sulm pranë qytetit Khan Sheikhoun.