Këshilli i Sigurimit i OKB-së diskuton sulmin kimik në Idlib
https://parstoday.ir/sq/news/world-i48380-këshilli_i_sigurimit_i_okb_së_diskuton_sulmin_kimik_në_idlib
 Këshilli i Sigurimit pranë OKB-së ka thirrur një mbledhje urgjente për të diskutuar në lidhje me sulmin kimik në Siri, i cili u mori jetën 72 personave, ndërsa shkaktoi probleme për qindra të tjerë.
(last modified 2025-11-16T09:23:51+00:00 )
Prill 06, 2017 04:11 Europe/Tirane
  • Këshilli i Sigurimit i OKB-së diskuton sulmin kimik në Idlib

 Këshilli i Sigurimit pranë OKB-së ka thirrur një mbledhje urgjente për të diskutuar në lidhje me sulmin kimik në Siri, i cili u mori jetën 72 personave, ndërsa shkaktoi probleme për qindra të tjerë.

Fuqitë perëndimore kanë akuzuar qeverinë siriane dhe forcat ajrore ruse për këtë ngjarje me përmasa tragjike. Megjithatë, qeveria e Presidentit Asad dhe Ministria e Mbrojtjes së Rusisë, kanë deklaruar se armët kimike janë shpërndarë pas bombardimit të një baze ushtarake të terroristëve dhe se u përkisnin këtyre të fundit. Një ditë pasi një sulm i dyshuar me armë kimike në Siri u mori jetën 72 personave ndërkohë që u shkaktoi komplikacione shëndetësore qindra të tjerëve, Këshilli i Sigurimit pranë OKB-së, ka thirrur një mbledhje urgjente për të diskutuar në lidhje me këtë ngjarje. Perëndimorët kanë akuzuar qeverinë e Presidentit Bashar Asad dhe Rusinë për sulmin, ndërkohë që nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes dhe forcat qeveritare siriane kanë mohuar përdorimin e armëve kimike. Ata janë shprehur se një bombardim i forcave ajrore të Sirisë kishte goditur një bazë ushtarake të rebelëve, në të cilën ndodheshin edhe substancat helmuese. Kjo goditje nga ajri, kishte ndikuar më pas edhe në përhapjen me shpejtësi të përmbajtjes së këtyre armëve duke shkaktuar ndarjen nga jeta të 72 personave, ku përfshihen edhe 20 fëmijë. Tek viktimat u vunë re simptoma si vështirësi në rrugët e frymëmarrjes, skuqje të syve dhe të vjella, që përforcojnë provat se vdekja e tyre ka ardhur për shkak të përdorimit të armëve të ndaluara. Mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, u thirr nga Franca dhe Mbretëria e Bashkuar. Ambasadori britanik pranë organizatës, Matthew Rycroft, e quajti incidentin një krim lufte, i cili për më tepër minon çdo përpjekje për zgjidhjen e konfliktit të Sirisë. Reagime pati edhe nga Presidenti Trump si dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson. Këta të fundit e konsideruan ngjarjen një akt barbar dhe të tmerrshëm. Nga ana tjetër, i deleguari special i OKB-së për Sirinë, Stafan de Mistura, tha se bëhet fjalë për një sulm horror dhe se ngjarja duhet të zbardhet sa më parë. Ai shtoi se përgjegjësitë duhet të gjenden menjëherë dhe se duhet të vendosen përpara drejtësisë. Sulmi në Idlib ishte një nga më vdekjeprurësit me armë kimike në Siri, që prej nisjes së konfliktit, më shumë se 6 vite më parë.