Deputetët europianë përkrahin anëtarësimin e Skocisë në BE
Deputetët e Parlamentit Europian përkrahën anëtarësimin e Skocisë në BE në rast të largimit të Britanisë nga ky union.
Një grup prej 50 ligjvënësve europianë kanë nënshkruar një letër për të shprehur mbështetjen e tyre për anëtarësimin e Skocisë në Bashkimin Europian, nëse skocezët votojnë për pavarësi nga Britania e Madhe, në prag të daljes së Britanisë nga blloku. Letra e hapur i është dërguar qeverisë skoceze të hënën nga ligjvënësit e disa shteteve të BE-së, duke përfshirë Gjermaninë, Irlandën, Greqinë, Spanjën dhe Belgjikën. Letra është nënshkruar nga 26 anëtarë të Parlamentit Europian si dhe nga anëtarë të parlamenteve kombëtare dhe rajonale. "Nëse Skocia do të bëhet një vend i pavarur dhe vendos të kërkojë anëtarësimin në BE, ne ofrojmë mbështetjen tonë të plotë për të siguruar tranzicionin e shpejtë, të qetë dhe të rregullt ", kanë shkruar deputetët e PE. "Skocia do të jetë e mirëpritur si një anëtare e plotë e BE-së" thuhet në letrën e eurodeputetëve.