Europa e pakënaqur nga referendumi në Turqi, kundërpërgjigjet Erdogan
https://parstoday.ir/sq/news/world-i49160-europa_e_pakënaqur_nga_referendumi_në_turqi_kundërpërgjigjet_erdogan
Bashkimi Europian i kërkoi qeverisë turke që pas referendumit mbi ndryshimet kushtetuese që shton kompetencat e presidentit Erdogan, të kërkojë “një konsensus më të gjerë kombëtar”.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Prill 17, 2017 15:27 Europe/Tirane
  • Europa e pakënaqur nga referendumi në Turqi, kundërpërgjigjet Erdogan

Bashkimi Europian i kërkoi qeverisë turke që pas referendumit mbi ndryshimet kushtetuese që shton kompetencat e presidentit Erdogan, të kërkojë “një konsensus më të gjerë kombëtar”.

Kryetari i Komisionit Europian Jean Claude Juncker, Federica Mogherini, shefe e politikës së jashtme dhe të sigurisë së BE dhe Johannes Hahn, komisioner për zgjerimin e BE, në një deklaratë të përbashkët shprehën shqetësimin për lëvizjen e Turqisë drejt diktaturës dhe theksuan se  BE do t’i ndjekë me shumë vëmendje reformat kushtetuese në Turqi, sepse ky vend është kandidat për anëtarësim në BE. Në këtë deklaratë, Brukseli shpreh shqetësimin për manipulimet eventuale në referendumin në Turqi, pasi opozita turke ka deklaruar se do të kontestojë rezultatin e referendumit pas manipulimeve masive të vërejtura nga përfaqësuesit e partive opozitare. Nga ana tjetër, Misioni vëzhgues i OSBE-së në Turqi njoftoi të hënën se procedura e votimit nuk ishte sipas standardeve ndërkombëtare. Tana de Zuleta nga OSBE tha se vendimi i Komisionit Zgjedhor të Turqisë që të pranojë si të rregullta listat e votuesve pa vulë zyrtare ka minuar kontrollet e rëndësishme të mekanizmit kundër mashtrimeve. Misioni vëzhgues ka përmendur një sërë parregullsish në referendum, përfshirë edhe kampanjën e njëanshme “për”, duke frikësuar kundërshtarët e ndryshimeve kushtetuese, si dhe faktin se në listat e votuesve nuk ishte pyetja për referendumin. De Zuleta tha se procedurat “ishin nën nivelin e dukshëm” të standardeve për të cilat Turqia ishte obliguar. Monitoruesit europianë, një mision i vëzhguesve nga Këshilli 47-anëtarësh i Evropës, kanë thënë që referendumi nuk ka qenë i drejtë. “Në përgjithësi, referendumi nuk është organizuar sipas standardeve të Këshillit të Evropës”, ka thënë Cezar Preda Florin, kreu i këtij delegacioni. Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan ka hedhur poshtë kritikat e misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë në lidhje me referendumin e zhvilluar të dielën, duke këmbëngulur se “votimi ishte më shumë demokratik” i parë në ndonjë vend perëndimor. Duke iu drejtuar mbështetësve jashtë pallatit të tij në Ankara, Erdogan tha të hënën se Turqia do të injorojnë gjetjet e vëzhguesve të OSBE-së. Presidenti turk, ka denoncuar atë që e ka quajtur “mentalitet kryqëzatash”, pasi vëzhguesit europianë e kanë kritikuar referendumin që i jep atij kompetenca të reja, të cilin ai i ka fituar me një diferencë të ngushtë votash. “Ne nuk do të shohim apo dëgjojmë raporte të përgatitura dhe të motivuara politikisht”, tha Erdogan. Vëzhguesit ndërkombëtarë thanë se referendumi nuk plotësoi standardet ndërkombëtare. Ata thanë gjithashtu se Bordi Zgjedhor në Turqi lejoi në momentet e fundit pranimin si të vlefshme të fletëve të votimit pa vulën zyrtare, duke minuar garancitë më të rëndësishme kundër mashtrimit. Analistët politikë mendojnë se rezultati i referendumit, jo vetëm që nuk do ta bashkojë Turqinë, siç pretendon Erdogani, por përkundrazi do ta përçajë edhe më shumë atë. Fakti që rezultati ishte aq i ngushtë ka ekspozuar ndasitë e thella të vendit. Fitorja e votës “Po” do të sjellë 18 ndryshime në Kushtetutën e vendit, duke e shndërruar sistemin e qeverisjes nga parlamentar në presidencial. Ato hyjnë në fuqi pas zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të vitit 2019.