Reagimet e brendshme dhe të jashtme ndaj referendumit në Turqi
Pas referendumit për ndryshimet kushtetuese në Turqi, Presidenti Erdogan mori gjithçka që deshi, por jo në një fitore plebishitare.
Fitorja e Erdoganit nuk duket të jetë aq e pastër dhe pa pasoja. Rezultati i referendumit dëshmoi për një ndarje të thellë në opinionin publik turk. Shpallja e rezultatit të referendumit pasoi me protesta në qytetet e mëdha turke ku bëhet e ditur se ka fituar “jo”-ja. Mijëra njerëz dolën në rrugët e Stambollit dhe të qyteteve të tjera të Turqisë, të hënën në mbrëmje, për të protestuar kundër rezultatit të referendumit, që i jep presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, më shumë pushtet. Media turke raporton se 13 njerëz janë arrestuar në qytetin Antalia. Protestuesit shprehën zemërim me disa parregullsi, në mesin e tyre edhe vendimi i trupit zgjedhor për t’i cilësuar si të vlefshme më shumë se një milion vota pa vulë zyrtare. Hayir Besiktas, grupi që thirri protestën, tha se është kundër “mashtrimit, padrejtësisë dhe votave të vjedhura”. Parregullsitë janë identifikuar edhe nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe Këshilli i Evropës. Vëzhguesit europianë të zgjedhjeve, të cilët thanë se referendumi në Turqi ishte një garë e pabarabartë, ia dorëzuan raportin e tyre Bordit Zgjedhor të Turqisë. Ndërkohë, një vëzhgues ndërkombëtar i monitorimit deklaroi se është e mundur që deri 2.5 milionë vota të turqve të jenë manipuluar, duke ndryshuar kështu rezultatet e referendumit të fundit kushtetues në vend. Alev Korun, deputet i Parlamentit të Austrisë dhe anëtar i misionit vëzhgues të Këshillit të Evropës, ka thënë se ekziston “dyshimi se deri në 2.5 milionë vota mund të jenë manipuluar”. Korun iu referua gjithashtu edhe lëvizjes së organit qendror zgjedhor të Turqisë, i cili ka pranuar 1.5 milionë fletë votimi pa vulë dhe zarf si të vlefshme, vendim i cili u mor brenda ditës së votimit të referendumit. Misioni i vëzhguesve nga 47 vende anëtare të Këshillit të Europës (KiE), organizmit kryesor për të Drejtat e Njeriut në kontinent, ishin në Turqi për të vëzhguar ecurinë e votimit në referendumin e së dielës, mbi ndryshimet kushtetuese që i japin më shumë fuqi presidentit Recep Tayyip Erdogan. Presidenti turk Erdogan duke kundërshtuar raportin e OSBE, tha se “nuk e shohim, nuk e dëgjojmë dhe nuk do ta pranojmë” raportin e tyre, duke u thënë vëzhguesve ndërkombëtar se duhet të “dinë vendin e tyre”. Vëzhguesit europianë, ndërkohë, thanë se mbështetja për votën “po” ka dominuar në mbulimin mediatik të fushatës, ndërsa arrestimet e gazetarëve dhe mbyllja e organeve të shtypit kanë bërë që këndvështrimet e kundërta të reduktohen. Duke folur para gazetarëve, shefi i misionit të vëzhgimit nuk komentoi kritikat që vet Erdogani i bëri raportit, duke thënë se vëzhguesit e dinë vendin e tyre dhe Turqia nuk sheh, nuk dëgjon dhe as nuk pranon kritikat se, vota nuk ishte në përputhje me standardet ndërkombëtare. Komisioni Europian i ka bërë apel Turqisë të hetojë çdo supozim. Duke mos përgëzuar presidentin turk, Komisioni Europian është fokusuar te rezultatet e vëzhguesve të huaj. “Ne u kërkojmë autoriteteve turke të marrin në konsideratë hapat e radhës me shumë kujdes dhe të kërkojnë konsensusin më të gjerë kombëtar të mundshëm, në fazën e postreferendumit. Ne po ashtu u kërkojmë të gjithë aktorëve të tregohen të përmbajtur, ndërsa autoritetet të nisin një hetim transparent për parregullsitë e denoncuara”, tha Margaritis Schinas, zëdhënës i Komisionit Europian. Ndërkohë, Komisioni Europian ka thënë qartë se, çdo legjislacion që kthen dënimin me vdekje në Turqi, ashtu siç kishte premtuar Erdogan gjatë fushatës, do t’u jepte fund ambicieve europiane të Ankarasë. Por, Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka këmbëngulur se planet e tij për të marrë kompetenca të reja gjithëpërfshirëse nuk e bëjnë atë diktator. Në një intervistë për CNN, Erdogan ka thënë se pakoja e reformave kushtetuese e mbështetur nga një shumicë e vogël e votuesve turq nuk është krijuar për interesa të tij. Presidenti turk ka mohuar edhe akuzat se referendumi ka qenë një hap drejt diktaturës. "Aty ku ekzistojnë diktaturat, nuk nevojitet një sistem presidencial", ka thënë Erdogan. "Ne kemi kuti votimi këtu... demokracia fuqizohet nga populli. Quhet vullnet i popullit", është shprehur presidenti turk.