Protesta dhe kërkesa për anulimin e referendumit në Turqi
https://parstoday.ir/sq/news/world-i49306-protesta_dhe_kërkesa_për_anulimin_e_referendumit_në_turqi
Bordi Elektoral i Turqisë (YSK) e ka hedhur poshtë sot kërkesën e partive opozitare të vendin për anulimin e rezultatit të referendumit të 16 prillit për ndryshime kushtetuese, për zgjerimin e pushtetit të presidentit Recep Tayyip Erdogan.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Prill 19, 2017 15:10 Europe/Tirane
  • Protesta dhe kërkesa për anulimin e referendumit në Turqi

Bordi Elektoral i Turqisë (YSK) e ka hedhur poshtë sot kërkesën e partive opozitare të vendin për anulimin e rezultatit të referendumit të 16 prillit për ndryshime kushtetuese, për zgjerimin e pushtetit të presidentit Recep Tayyip Erdogan.

YSK njoftoi se i ka inspektuar të gjitha ankesat e dy partive opozitare dhe se i ka refuzuar të gjitha ato, raportojnë mediat turke. Dhjetë anëtarë të bordit votuan kundër kërkesës së opozitës, ndërsa vetëm një votoi në favor. Partia kryesore opozitare, Partia e Popullit Republikan (CHP) dhe Partia e Popullit Demokratik (HDP), e cila është partia e tretë më e madhe në Parlament, dorëzuan kundërshtimet legale ndaj rezultatit të referendumit, kryesisht për shkak të vendimit të bordit për t’i vlerësuar të vlefshme fletëvotimet e pavulosura nga zyrtarët. CHP ka thënë se do të vendosë për hapat e radhës kundër këtij vendimi. Sipas kësaj partie, kjo çështje është problem i tërë Turqisë. Apelet kundër rezultatit të referendumit, që i jep më shumë fuqi presidentit Recep Tayyip Erdogan, janë të drejta, por thirrjet e njerëzve në rrugë për protesta nuk janë të tilla, tha kryeministri turk Benali Yildirim, teksa foli para anëtarëve të Partisë Drejtësi dhe Zhvillim në Ankara. Ai tha se rezultatet e referendumit të së dielës, që u fitua nga kampi “pro” me një diferencë të ngushtë, do të vlerësohen, ndërsa vendi vijon me implementimin e ndryshimeve kushtetuese të miratuara. “Apelet do të vlerësohen dhe një vendim do të merret. Gjithçka është normale deri këtu. Sidoqoftë, është plotësisht e papranueshme të ftohen njerëzit në rrugë nëpërmjet kanaleve të ndryshme të komunikimit dhe të mos njihen rezultatet”, tha Benali Yildirim, kryeministër i Turqisë. Partitë e opozitës kanë nisur procesin zyrtar të apelimit për të shpallur të pavlefshëm rezultatin e referendumit, ndërkohë që vëzhguesit europianë të zgjedhjeve e kritikuan atë, duke e cilësuar një garë të pabarabartë. Ministri i Jashtëm turk e quajti raportin e vëzhguesve europianë ekstremisht të njëanshëm, ndërsa kritikat të qëllimshme. “Detyra e OSBE-së është të kryejë një analizë teknike. Ata nuk mund të kryejnë analiza politike dhe as të vlerësojnë ligjet kushtetuese. Ata nuk mund të ndërhyjnë në politikën e brendshme të Turqisë dhe ne nuk e marrim në konsideratë analizën e tyre. Ministria jonë ka lëshuar paralajmërimet e nevojshme dje dhe injoranca e tyre doli në dritë. Injoranca rrjedh nga paragjykimi”, tha Mevlut Cavusoglu, ministër i Jashtëm i Turqisë. Partia opozitare turke, prokurde, HDP kërkoi të mërkurën anulimin e referendumit, duke denoncuar shkelje të shumta gjatë tij.