Ministri i Jashtëm gjerman në Bagdad
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë shprehu përkrahjen e fuqishme të Berlinit për përpjekjet e Irakut për zgjidhjen e problemeve të këtij vendi.
Siegmar Gabriel, ministër i jashtëm i Gjermanisë, i cili ndodhet për një vizitë në Bagdad, në takimin e zhvilluar të mërkurën me homologun e tij irakian Ibrahim Xhaferi, deklaroi: “Iraku po përballet me probleme dhe kriza të shumta, por me ndihmën e qeverisë gjermane do të mundet t’i zgjidhë këto probleme”. Shefi i diplomacisë gjermane tha se Berlini përkrah planin e qeverisë së Irakut për pajtimin kombëtar dhe për pjesëmarrjen e të gjitha grupeve politike, etnike dhe fetare në zhvillimet politike të Irakut. Nga ana e tij, ministri i Jashtëm i Irakut kërkoi që qeveria gjermane të lirojë pasuritë e Irakut të bllokuara në disa banka gjermane dhe t’ia dorëzojë ato qeverisë së Bagdadit. Rënia e çmimit të naftës dhe kostoja e lartë e luftës kundër ISIS janë bërë shkak që Iraku të përballet me një krizë financiare.