Rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në Francë
Kandidati i qendrës Emmanuel Macron dhe udhëheqësja e së djathtës ekstreme Marine Le Pen janë fitues të rrethit të parë të zgjedhjeve presidenciale në Francë.
Ministria e Brendshme e Francës tha se nga 78 për qind të votave të numëruara, kandidati i qendrës udhëheqë ndaj Marine Le Pen.
Emmanuel Macron ka marrë votat në qytetet e mëdha të Francës dhe sipas shënimeve të ministrisë së brendshme ai ka 23.23 për qind, Marine Le Pen është e dyta me 22.83 për qind.
Francois Fillon ka marrë 19.75 për qind dhe Melenchon 18.92 për qind.
Më heret, rezultatet e projektuara, nxorrën Macron me 23.7 për qind ndërkohë zonjën Le Pen me 21.7 për qind të votave, ka bërë të ditur Televizioni Francez.
Të dy kandidatët janë sfiduar nga François Fillon i qendrës së djathtë dhe ai i të majtës ekstreme Jean-Luc Mélenchon, thonë projeksionet, transmeton BBC.
Macron dhe Le Pen do të përballen në balotazh më 7 Maj.
Cilido që të fitojë në rrethin tjetër, votimet do të shënojnë një ndryshim nga partitë e majta dhe ato të qendrës së djathtë që kanë dominuar për një kohë të gjatë politikën franceze, thotë BBC.
Pjesëmarrja në zgjedhje në nivel kombëtar duket të jetë e ngjashme me atë të zgjedhjeve të vitit 2012.
Në Paris ndërkaq ka patur përleshje ndërmjet demonstruesve dhe policisë pas njoftimeve se Marine Le Pen ka kaluar në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, dhe policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Forcat e policisë kanë rrethuar pjesën e qytetit ku ndodhën demonstratat, dhe policia tha se bëhet fjalë për të rinj në mesin e të cilëve ka edhe anarkistë dhe ‘antifashistë’.
Protestat e majtistëve kanë përfshirë edhe pjesën qendrore dhe perëndimore të Francës.