Mbështetja e BE për Macron
https://parstoday.ir/sq/news/world-i49622-mbështetja_e_be_për_macron
Politikanët europianë e kanë pritur me çlirim fitoren e Emmanuel Macron në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Francë.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Prill 24, 2017 16:23 Europe/Tirane
  • Mbështetja e BE për Macron

Politikanët europianë e kanë pritur me çlirim fitoren e Emmanuel Macron në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Francë.

Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker ka uruar personalisht kandidatin e pavarur për fitoren e arritur, duke thyer kështu edhe protokollin, pasi Komisioni zakonisht nuk komenton mbi zgjedhjet në zhvillim të një vendi. Ai e ka vlerësuar Francën si një shtyllë qendrore të BE-së, një vend themelues e komb që mishëron dhe simbolizon vlerat që përforcojnë integrimin europian. Por Juncker nuk ka qenë i vetmi që e ka pritur kështu fitoren e Macron. Edhe të tjerë liderë europianë si ministri i jashtëm gjerman Sigmar Gabriel apo ish-presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz, i kanë uruar Macron fat në raundin e dytë të zgjedhjeve. Zgjedhja për të mbështetur Macron, sipas liderëve europianë ishte e qartë, pasi francezët u desh të zgjidhnin mes një kandidati që mbron atë që Europa përfaqëson dhe një kandidati që kërkon të shkatërrojë Europën. Ndërkohë, Rusia mbështetëse e Le Pen, tha se e respekton rezultatin e raundit të parë, teksa shpreson në marrëdhënie më të mira me cilindo kandidat që do të fitojë raundin e dytë. Asnjë koment zyrtar nuk ka patur as nga Britania e Madhe apo Shtetet e Bashkuara. Kandidati i pavarur centrist Emmanuel Macron arriti të fitonte raundin e parë të votimit në zgjedhjet presidenciale franceze me 23.75% të votave, i ndjekur nga liderja e Frontit Kombëtar Marine Le Pen me 21.53% të votave. Rezultati i këtyre zgjedhjeve ishte një risi për partitë e mëdha të vendit, socialistët e republikanët, të cilët për herë të parë mbetën jashtë pallatit presidencial, teksa kandidatët e tyre respektivë morën vetëm 19% të votave. Macron e Le Pen do të përballen në raundin e dytë të zgjedhjeve më 7 maj. Kandidati favorit për President të Francës, i pavaruri nga qendra politike Emmanuel Macron kërkon bashkim kombëtar kundër populistes Marine Le Pen, rivalja e vetme në balotazhin e ardhshëm presidencial të 7 majit 2017. Në një fjalim para mbështetësve në Paris, Macron tha se dëshiron të mbledhë “mbështetjen më të madhe të mundshme” përpara balotazhit që zhvillohet pas rreth dy javësh. Ai i vlerësoi mbështetësit e tij për një fushatë “që ndryshoi rrjedhën e vendit tonë”. Macron kërkoi shpresë në Evropë në vend të frikës, si një referencë kundër fushatës anti-evropiane të Le Pen. Macron, një 39-vjeçar i cili nuk është zgjedhur asnjëherë më parë në ndonjë post, shfaqi një zemërim të hapur ndaj partive tradicionale dhe premtoi “transformime të reja” në politikën franceze. Me një lëvizje shumë të pazakontë, Macron erdhi në skenën politike franceze bashkë me gruan e tij, Brigitte. Të majtët në Francë kanë pësuar një humbje të thellë në zgjedhjet presidenciale të së dielës në Francë. Kandidati Benoit Hamon ka pranuar humbjen në raundin e parë, ndërsa renditet në vendin e pestë, rezultat që vjen pas pesë vitesh të qeverisjes nga partia e tij e drejtuar nga Presidenti Fransua Hollande. Hamon tha se pranon humbjen e garës, duke shtuar se “e majta nuk është e vdekur”. Kjo është hera e parë në historinë moderne franceze që asnjë kandidat i majtë nuk renditet në vendet e para. Hamoni u bëri thirrje votuesve të mbështesin Macron në balotazhin e 7 majit.