Qeveria turke pezullon nga detyra 9103 policë
Autoritetet turke kanë pezulluar të mërkurën nga detyra 9103 policë, për siç thuhet si të dyshuar për lidhje me rrjetin e Imam Fetullah Gylen, të cilin Ankaraja e akuzon për organizimin e grusht shtetit të dështuar ushtarak në korrik të vitit të kaluar, raporton CNN-i Turk.
Po ashtu, më shumë se 1000 persona u arrestuan në operacionet e djeshme në gjithë vendin për të njëjtën arsye, njoftuan zyrtarët nga shteti turk. Pas grushtit të shtetit korrikun e kaluar, autoritetet turke arrestuan mbi 40 mijë njerëz dhe pezulluan rreth 120 mijë të tjerë nga një sërë profesionesh, përfshirë ushtarë, policë, mësues dhe nëpunës publikë. Arrestimet e fundit vijnë 10 ditë pas referendumit tepër të debatuar, që miratoi zgjerimin e fuqive të presidentit Recep Tayyp Erdogan. Referendumi ndau thellësisht Turqinë, pavarësisht se Erdogan pretendon se përforcimi i presidencës do të shmangë destabilizimin që vjen nga qeveritë e koalicionit, ndërsa Turqia përballet me kërcënime sigurie nga militantët islamikë dhe kurdë. Por kritikët e tij druhen se vendi po zhytet edhe më thellë në autoritarizëm, me një udhëheqës që ka tendencën të dëmtojë demokracinë dhe themelet laike të Turqisë, ku arrestime të tilla masive nuk dërgojnë asnjë sinjal pozitiv.