Rusia dënon anëtarësimin e Malit të Zi në NATO
Ministria e Jashtme e Rusisë publikoi një komunikatë ditën e premte duke dënuar vendimin e Parlamentit të Malit të Zi për ratifikimin e anëtarësimit të këtij vendi ballkanik në NATO.
MPJ e Rusisë në këtë deklaratë thekson se funksionarët e Malit të Zi kanë injoruar kundërshtimin e një pjese të madhe të popullit malazez ndaj anëtarësimit të vendi në NATO. ”Moska do të analizojë pasojat strategjike të këtij vendimi dhe do të marrë masa për mbrojtjen e interesave të Rusisë”- thuhet në komunikatën e MPJ të Rusisë. Parlamenti malazez miratoi dje anëtarësimin e vendit ballkanik në aleancën ushtarake NATO, në një kthim historik drejt Perëndimit dhe mes protestave të shumta nga Rusia dhe opozita proruse në vend. Rusia është irrituar së tepërmi nga zgjerimi i NATO-s në Mal të Zi, një zonë interesi historik për Moskën. Vetëm pak kohë më parë, Mali i Zi akuzoi zyrtarisht Rusinë se fshihej pas përpjekjes së dështuar për grusht shteti në tetor, që pretendohet se kishte për synim rrëzimin e qeverisë së ish-kryeministrit Djukanoviç dhe pengimin e anëtarësimit të vendit fqinj në NATO. Por Kremlini e ka hedhur poshtë këtë akuzë.