BE me qëndrim të përbashkët ndaj Brexit-it
https://parstoday.ir/sq/news/world-i49918-be_me_qëndrim_të_përbashkët_ndaj_brexit_it
Liderët e vendeve anëtare të BE-së, kanë materializuar unitetin e tyre përpara nisjes së negociatave për çështjen ‘Brexit’, ndërsa kanë rënë dakord unanimisht për linjën që do të ndjekë Brukseli në bisedimet me Londrën zyrtare.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Prill 29, 2017 15:54 Europe/Tirane
  • BE me qëndrim të përbashkët ndaj Brexit-it

Liderët e vendeve anëtare të BE-së, kanë materializuar unitetin e tyre përpara nisjes së negociatave për çështjen ‘Brexit’, ndërsa kanë rënë dakord unanimisht për linjën që do të ndjekë Brukseli në bisedimet me Londrën zyrtare.

Gjatë mbledhjes së radhës, palët e firmosën dokumentin e propozuar nga Donald Tusk për vetëm 15 minuta. Bashkimi Evropian me 27 vendet duhet të qëndrojë i bashkuar gjatë negociatave me Britaninë e Madhe për Brexit, tha presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk në Bruksel në samitin e 27 vendeve të BE-së. “Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar si BE me 27 vende. Vetëm kështu ne do të jemi në gjendje të përfundojmë negociatat, gjë që nënkupton se bashkimi ynë është gjithashtu në interes të Britanisë së Madhe”, deklaroi Tusk. Ai rikonfirmoi se blloku kërkon një marrëdhënie të ardhshme të fortë me fqinjin, por theksoi se para se të diskutonin për të ardhmen duhet zgjidhur e kaluara. Në deklaratat e bëra nga gjatë punimeve të këtij takimi, kancelarja gjermane Angela Merkel theksoi se fillimisht do të negociohet mbi mënyrën e daljes, dhe më pas për marrëdhënien e re që do të krijojnë Britania dhe Bashkimi Europian. Korniza kryesore e negociatave u vendos javët e shkuara nga konsulentët e krerëve të shteteve e qeverive të vendeve të BE. Nuk priteshin edhe më parë diskutime apo grindje mes vendeve anëtare. Angela Merkel e dha tonin me deklaratën e saj në Bundestag të enjten. Britania e Madhe nuk duhet t'u jepet iluzioneve, se në fund do të ketë të njëjtat të drejta si një vend anëtar. “Kjo do të ishte humbje kohe", tha Merkel. Janë dashur vetëm 15 minuta kohë që liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian të miratojnë linjën që do të ndjekin negociatorët e Brukselit në bisedimet për daljen e Britanisë nga Unioni. Të mbledhur në Bruksel, përfaqësuesve u janë dashur shumë pak diskutime për të dhënë dritën jeshile mbi draftin që ishte prezantuar më herët nga Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk. Në materialin e firmosur nga 27 vendet anëtare që do të mbeten pas largimit të Britanisë, palët shprehën dakordësinë për të ruajtur unitetin edhe më një anëtar më pak. Gjithashtu, në këtë dokument listohen edhe prioritetet që do të vendosen në plan të parë të negociatave. Gjatë fjalës së tyre, liderët e bënë edhe njëherë të qartë se Britaninë e pret një proces i vështirë. Presidenti i Këshillit, Donald Tusk nënvizoi bisedimet do të orientohen kryesisht tek çështja e qytetarëve, ekonomia dhe Irlanda. Të njëjtin mesazh pati edhe kancelarja Angela Merkel. Shefja e qeverisë gjermane, u shpreh se fillimisht duhet që palët të arrijnë një marrëveshje për daljen dhe më pas të flitet për marrëdhënien e re që do të krijojnë palët. Nga ana tjetër, Presidenti në ikje i Francës, François Hollande, deklaroi se largimi i Britanisë, padyshim që do të sjellë pasoja për Londrën zyrtare. Megjithatë, ai shtoi se Bashkimi Europian nuk do të mundohet që t’a ndëshkojë Britaninë, por përkundrazi do të jetë i hapur për negociata konstruktive. Firmosja e një pakti të tillë është një shenjë uniteti që vendet anëtare materializuan duke hedhur firmat mbi dokumentin e propozuar nga Brukseli. Tashmë pritet që pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në Britani, palët të nisin bisedimet për të formësuar marrëdhënien e re që do të krijojnë mes tyre. Sipas ekspertëve të BE-së, në negociatat e divorcit bëhet më shumë fjalë për "kufizimin e dëmit”, sepse miliona vetë do t'i ndjejnë praktikisht pasojat e Brexit. Sipas ekspertëve qeveria britanike është më shumë nën presion kohe, sepse koha punon kundër saj, ndërsa BE mjafton të presë.