Franca dhe hija e Brexit-it në zgjedhjet presidenciale
Zgjedhësit francezë u drejtohen të dielën qendrave të votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, ku gjenden përballë njëri-tjetrit dy fituesit e raundit të parë, Macron dhe Le Pen.
Kjo e fundit po shfrytëzon ndjenjat kundër bllokut, e ka premtuar një referendum mbi anëtarësimin e vendit në BE. Me zotimin të rimarrë kontrollin e kufijve e të grushtojë ashpër emigracionin, Le Pen fitoi mbështetje të madhe në zonat rurale e ato ish-industriale. Ajo ka një qëndrim të qartë kundër Bashkimit Europian, mendime që i ka shprehur vazhdimisht. Pas daljes së Britanisë nga BE-ja, ideja e largimit të mundshëm të Francës, padyshim që do të rezultonte fatale për fatet e unionit. Macron vazhdon, megjithatë, të kryesojë në sondazhe me 20 pikë përqindjeje. Rreziku i një skenari francez, të ngjashëm me atë britanik, është artikuluar edhe nga favoriti për presidencën franceze, Emmanuel Macron. Idenë e “Frexit”-it e ka hedhur me kohë rivalja e tij, udhëheqësja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, por tani, edhe vet kandidati i qendrës, një mbështetës i hapur i BE-së, e përmend këtë rrezik duke treguar se ai është real. Macron tha se Bashkimi Europian duhet të reformohet, në të kundërt do të përballet me mundësinë e një shkëputjeje të Francës. “Unë jam një proeuropian. E kam mbështetur vazhdimisht gjatë fushatës idenë europiane, sepse besoj që është tejet e rëndësishme për popullin francez dhe për vendin që zë kombi ynë në raport me globalizimin. Macron u shpreh se ai mbetet pro idesë së një bashkimi në Europë, por theksoi se është gjithashtu e rëndësishme të dëgjohet edhe mendimi i qytetarëve. Liberali shtoi se nëse BE nuk i përfill qëndrimet e europianëve, atëherë, projekti kërcënohet seriozisht. Problemi është se gati gjysma e Francës është e zemëruar me idenë europiane. Ne duhet t’ia vëmë veshin popullit, duhet ta marrim në konsideratë pakënaqësinë e tij. Ndaj them se mandati im do të lidhet njëkohësisht me reformimin e thellë të BE-së dhe projektit tonë europian”, tha Macron. Ndërkohë, kandidatja e ekstremit të djathtë për zgjedhjet presidenciale në Francë Marine Le Pen ka akuzuar rivalin e saj pro Bashkimit Europian Emmanuel Macron, duke e quajtur atë kandidat të vazhdimësisë. Ajo e lidh Macron me presidentin aktual të papëlqyeshëm, Francois Hollande, në kabinetin e të cilit ai ka shërbyer.