Le Pen do t’a “mbysë” BE-në
https://parstoday.ir/sq/news/world-i50082-le_pen_do_t’a_mbysë_be_në
Kryeministri francez, Bernard Cazeneuve, ka paralajmëruar se Bashkimi Evropian nuk do të mbijetojë nëse udhëheqësja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen bëhet presidente.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
May 02, 2017 04:36 Europe/Tirane
  • Le Pen do t’a “mbysë” BE-në

Kryeministri francez, Bernard Cazeneuve, ka paralajmëruar se Bashkimi Evropian nuk do të mbijetojë nëse udhëheqësja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen bëhet presidente.

"Bashkimi Evropian, i dobësuar nga Brexit, nuk do të ishte në gjendje të përballonte tronditjen e re që do të përbënte ardhjen në pushtet në Francë të një qeverie që është eurofobike", shkruante Cazeneuve në një artikull në gazetën Liberation të martën. Ai më tej i bëri thirrje vendit të votojë për Emmanuel Macron në balotazhin presidencial të 7 majit. Macron, 39 vjeç, dhe Le Pen, 48, fituan raundin e parë të votimit në zgjedhjet presidenciale më 23 prill. Macron përfundoi i pari me 24 për qind të votave, përpara Le Pen me 21.3 për qind. E vendosur tashmë në pozitat e një kandidateje kryesore të fushatës presidenciale, udhëheqësja e Frontit Nacional është përpjekur t’i frenojë tiparet ekstreme të kësaj partie, që kur mori në dorë drejtimin e kësaj force politike në 2011-n. Problemet ekonomike, sociale dhe ato të sigurisë kanë çuar ujë në mullirin e 48-vjeçares, partia e së cilës ka arritur të sigurojë edhe mbështetjen e të pakënaqurve me kushtet aktuale të vendit. Në zgjedhjet lokale të 2014-s, Fronti Nacional fitoi 12 komuna e në votimet e majit të po atij viti për Parlamentin Europian, doli forcë e parë.  Disa ekspertë, megjithatë mendojnë se sado e fortë të jetë ngritja e saj në skenën politike të vendit, nuk do ta favorizojë dot deri në pikën e marrjes së çelësave të Elizesë. Një pjesë e shohin si të rrezikshme edhe idenë e saj për të ndjekur shembullin e Britanisë në raport me bllokun europian. Në prag të raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale, francezët janë skeptikë nëse kandidatët do të arrijnë të mbajnë premtimet elektorale apo do zgjidhin çështjet për të cilat kanë dhënë garanci. Prej 2015 Franca është në gjendje emergjence dhe siguria në vend është e lartë, por të hënën masat do të ashpërsohen edhe më shumë, pasi punëtorët dhe protestuesit do të përdorin marshimet tradicionale të 1 Majit për të kundërshtuar kandidaten presidenciale të ekstremit të djathtë Marine Le Pen. Rreth 250 evenimente të tilla janë planifikuar në të gjithë Francën në një ditë mjaft simbolike për kalendarin e Frontit Kombëtar të Le Pen, ditë kur zhvillohet mbledhje e përvitshme për të nderuar heroinën e partisë Zhan D'ark. Në Paris, liderët e sindikatave dhe militantët politikë kanë bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të madhe në marshimet që do të përfshijnë zona historike si sheshi i republikës, sheshi i kombit dhe para Bastijës për të kundërshtuar Frontin Kombëtar dhe Le Pen.  Sfida e forcave të sigurisë në Paris dhe mbarë vendin, do të jetë të mbajë të ndara dy palët që marshojnë në këtë atmosferë mjaft të paqëndrueshme në vend. Shqetësimi i policisë, veç përballjeve të mundshme mes palëve protestuese, është se situata mund të shfrytëzohet edhe nga agresorë të vetmuar që mund të kryejnë sulme si ai i Champs Elysees pak ditë më parë.