Dhoma e Përfaqësuesve miraton buxhetin 1 trilion dollarë
Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA miratoi të mërkurën buxhetin e propozuar nga presidenti Donald Trump për vitin 2018 që kap shifrën 1 trilion $.
Sic njofton agjencia e lajmeve IRNA, ligjvënësit amerikanë me 310 vota pro dhe 117 kundër miratuan projektbuxhetin e propozuar nga Shtëpia e Bardhë për vitin 2018. Nëse ky buxhet nuk do të miratohej deri ditën e premte, do të pezullohej një pjesë e aktiviteteve të administratës së SHBA. Në versionin e parë të projektbuxhetit ishin parashikuar shkurtime të shpenzimeve në sektorët e artit dhe kulturës si dhe reduktimi 37 % i buxhetit të Departamentit Amerikan të Shtetit, por pas kundërshtimit të demokratëve, Shtëpia e Bardhë e rishikoi këtë projektbuxhet. Pas rishikimit, shtimi i shpenzimeve ushtarake, nga 54 miliardë $ që ishte në versionin e parë, u reduktua në 15 miliardë $. Ky projektbuxhet duhet të miratohet edhe nga Senati dhe më pas të firmoset nga presidenti Trump për të hyrë në fuqi.