Putin-Erdogan, akord për Sirinë dhe heqjen e kufizimeve
https://parstoday.ir/sq/news/world-i50264-putin_erdogan_akord_për_sirinë_dhe_heqjen_e_kufizimeve
Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe homologu i tij turk, Rexhep Taip Erdogan, ranë dakord të heqin masat kufizuese në tregtinë e përbashkët dhe të punojnë së bashku për të zgjidhur konfliktin në Siri, gjatë një takimi të mbajtur në Sochi të Rusisë.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
May 04, 2017 16:26 Europe/Tirane
  • Putin-Erdogan, akord për Sirinë dhe heqjen e kufizimeve

Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe homologu i tij turk, Rexhep Taip Erdogan, ranë dakord të heqin masat kufizuese në tregtinë e përbashkët dhe të punojnë së bashku për të zgjidhur konfliktin në Siri, gjatë një takimi të mbajtur në Sochi të Rusisë.

Moska ka ndërmarrë masa shtrënguese në disa fusha, pas përshkallëzimit të tensioneve mes dy vendeve, kur Turqia rrëzoi një avion rus në afërsi të kufirit sirian nëntorin e vitit 2015. Si kundërpërgjigje, Turqia vendosi një tarifë importi për disa mallra ruse. Në një konferencë të përbashkët për shtyp, pas takimit, Putin nënvizoi se të gjitha këto kufizime dëmtojnë ekonominë dhe prodhuesit, ndaj të dyja vendet kanë rënë dakord për një zgjidhje komplekse të problemit. “Ne mund të themi tani, me bindje të plotë, se procesi i shërimit të marrëdhënieve ruso-turke ka përfunduar dhe ne po kthehemi te ndërveprimi normal mes partnerësh”, tha Putin. Presidenti rus shtoi se kufizimet në të gjitha fushat tregtare do të hiqeshin, me përjashtim të atij për domatet e importuara nga Turqia, që do të mbetet në fuqi derisa prodhuesit rusë të marrin veten pas investimeve të bëra.Erdogan pranoi se akordi është arritur edhe për çështje të tjera. Putin dhe Erdogan kanë diskutuar për mënyrat e mundshme të zgjidhjes së krizës në Siri dhe përsëritën premtimet për të punuar së bashku për të zgjidhur konfliktin në vendin e rrënuar nga lufta. Dy presidentët mbështetën idenë e krijimit të zonave të sigurta në Siri, një propozim ky i mbështetur edhe nga presidenti amerikan Donald Trump.