Zgjedhjet në Francë, sulme kibernetike dhe kërcënime nga ISIS
Në mbyllje të fushatës për zgjedhjet presidenciale franceze, kandidatja e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen tha se besonte në një fitore surprizë të dielën, ndërsa rivali Emmanuel Macron e akuzoi atë për nxitjen e frikës te votuesit.
Në një intervistë në orët e fundit të fushatës, kryetarja e “Frontit Nacional” pohoi se, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve, ajo kishte siguruar një fitore ideologjike që mund të ndryshojë orientimin e Europës. Dita e fundit e garës së ethshme u shënjua nga tensionet, ndërsa një turmë njerëzish kundër Le Penit u përpoq të pengonte vizitën e saj në një katedrale të njohur në Reims. Liberali Emmanuel Macron e ka thelluar edhe më tej avantazhin e tij në sondazhe, që profetizojnë se ish-ministri i Ekonomisë do të rrëmbejë 62% të votave të dielën, ndërsa Le Peni nuk do të arrijë të grumbullojë më shumë se 38%. Ndërkohë, vetëm 48 orë para zgjedhjeve, alarmi në Francë është maksimal. Stafi i fushatës elektorale të Emmanuel macron ka denoncuar një “sulm masiv hakeri” pas një rrjedhje dokumentesh. Në mbrëmjen e vonë të së premtes janë postuar online një sasi e madhe emailesh të lidhura me fushatën e kandidatit për në Elize. Bëhet fjalë për 9 gigabyte të dhëna, të publikuara nga një përdorues që quhet EMLEAKS, në një platformë që përdoret për të shpërndarë dokumente në mënyrë anonime, “Pastebin”. Janë publikuar emaile dhe dokumente false. Pre e sulmit kanë qënë posta të ndryshme elektronike të disa përgjegjësve të fushatës elektorale të Macron. Emailet origjinale u publikuar më pas bashkë me materialet e falsifikuara. Autorët e këtij vepimi “duket qartë që kanë dashur të minojnë fushatë pak orë pas balotazhit të dytë”, bën të ditur stafi i Macron. Sulmi përshkruhet nga stafi i Macron si “një operacion që tenton destabilizimin e demokracisë siç u pa në Shtetet e Bashkuara gjatë fushatës elektorale. Nuk bëhet fjalë për efekte të një veprimi të thjeshtë piraterie informatike, por një tentativë për të destabilizuar zgjedhjet presidenciale franceze”, vijon më tej komunikata. Nga ana tjetër, nuk kanë munguar edhe kërcënimet e grupit terrorist ISIS. “Vritini kandidatët e zgjedhjeve presidenciale franceze gjatë balotazhit dhe personelin e qendrave të votimit”. Ky është apeli që u lëshon ISIS të ashtuquajturve “ujqër vetmitarë xhihadistë” në versionin francez të revistës së tyre “Rumiyah”, e publikuar në internet pikërisht në prag të votimit të 7 majit. “Mos e harroni detyrën tuaj si myslimanë. Zgjidhni një kandidat për të vrarë dhe një qendër për t’i vënë zjarrin”, është thirrja e grupit ekstremist, e publikuar më pas edhe në rrjetin social “Twitter”. Në kopertinën e edicionit francez të revistës shfaqet një dorë teksa hedh votën në kutinë e votimit, e përfshirë nga flakët. Në tekst nuk përmenden emrat e Emmanuel Macron dhe Marine Le Pen, por akti terrorist justifikohet me pretendimin se, cilido që merr pjesë në votim është i pabesë.