Zgjedhjet në Francë përcaktojnë të ardhmen e Europës
https://parstoday.ir/sq/news/world-i50428-zgjedhjet_në_francë_përcaktojnë_të_ardhmen_e_europës
Qytetarët francezë do të zgjedhin ditën e sotme Presidentin e vendit për pesë vitet e ardhshme, ndërsa qendrat e votimit janë hapur në orën 08:00 të mëngjesit dhe do të qëndrojnë të tilla deri në orën 19:00 të mbrëmjes.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
May 07, 2017 15:25 Europe/Tirane
  • Zgjedhjet në Francë përcaktojnë të ardhmen e Europës

Qytetarët francezë do të zgjedhin ditën e sotme Presidentin e vendit për pesë vitet e ardhshme, ndërsa qendrat e votimit janë hapur në orën 08:00 të mëngjesit dhe do të qëndrojnë të tilla deri në orën 19:00 të mbrëmjes.

Raundi i dytë sheh përballë njëri-tjetrit, Emmanuel Macron dhe Marine Le Pen, ku ndonëse liberali është më i avantazhuar duke ju referuar sondazheve, ekspertët paralajmërojnë se procesi mund të rezervojë edhe supriza. Macron, një ish-Ministër në qeverinë e Presidentit në ikje, François Hollande, ka drejtuar një fushatë të suksesshme pasi themeloi lëvizjen e tij të pavarur ‘’En Marche’, ndërkohë që nga ana tjetër, Le Pen, prej vitesh ka grumbulluar votat e qytetarëve me pikëpamje të ekstremit të djathtë. Liberali ka premtuar të rindërtojë ekonominë duke shkruar vendet e punës në administratës publike si dhe duke injektuar më shumë të ardhura në ekonomi. Sipas tij, kjo lëvizje do të ulë nivelin e papunësisë në më pak se 7% si dhe do të sjellë një frymë të re për ekonominë franceze. Fushata e Macron ra pre e një sulmi kibernetik që rezultoi në publikimin e një numri të konsiderueshëm të dhënash konfidenciale, por pavarësisht kësaj, sondazhet tregojnë se ky fakt nuk ndikoi negativisht në shifrat aktuale. Ndërkohë, lidhur me programin e Le Pen, përfaqësuesja e Frontit Nacional ka premtuar mbajtjen e një referendumi për të përcaktuar të ardhmen e Francës brenda ose jashtë BE-së. Gjithashtu, ajo pretendon se do t’i rikthejë qytetarëve francezë dinjitetin e humbur. Sikurse në raundin e parë, edhe raundi final po zhvillohet nën masa mjaft të rrepta sigurie, për shkak të sulmeve të shumta terroriste që kanë goditur vendin në tre vitet e fundit. Projeksionet e para nga agjencitë e sondazheve, apo rezultatet zyrtare priten jo më herët sesa mbyllja e kutive të votimit, në orën 20 të mbrëmjes. Fushata më e mbikëqyrur dhe më e paparashikueshme ndonjëherë në presidencialet franceze të dekadave të fundit u mbyll me një sulm kibernetik dhe vjedhjen e dokumenteve të fushatës së kandidatit të qendrës, Macron, mesnatën e së premtes. Agjencia qeveritare Kibernetike (ANSSI) ka nisur hetimet mbi këtë sulm, ndërsa ekipi i Macronit ka thënë se synonte të destabilizonte votimin. Fati i Bashkimit Europian është gjithashtu i varur nga vendimi i 47 milionë votuesve francezë, nëse do të rrezikojnë t’ia japin “çelësat” e Elizesë ekstremistes Le Pen, e cila ëndërron daljen nga blloku dhe nga tregu i monedhës së përbashkët, apo të vijojnë në rrugën proeuropiane me Macron, një proeuropian i palëkundur që kërkon të forcojë Bashkimin Europian. Tregjet globale të financave dhe fqinjët kryesorë të Francës janë duke ndjekur me interes të madh zgjedhjet. Një “Frexit” i mundshëm do të ishte shumë më katastrofik sesa largimi i Britanisë, duke qenë se Franca është ekonomia e dytë më e madhe që përdor monedhën Euro. Vendi është gjithashtu shtyllë qendrore e BE-së dhe misionit të saj për ruajtjen e paqes së pasluftës përmes tregtisë dhe kufijve të hapur. Votimi do të ndihmojë gjithashtu në matjen e populizmit global, pas fitoreve të vitit të kaluar në referendumin britanik për shkëputjen nga BE-ja, si dhe Shtëpisë së Bardhë nga Donald Trump. Në Francë, gjithsesi, është një test nëse votuesit janë të gatshëm të tejkalojnë të kaluarën raciste të “Frontit Nacional” të dinastisë “Le Pen”. Marine, vajza e Jean-Marie Le Pen, ka zgjeruar bazën e partisë duke shfrytëzuar irritimin ndaj globalizimit dhe frikën e lidhur me emigracionin dhe ekstremizmin. Macron ka argumentuar se Franca duhet të rishikojë ligjet e punësimit për të konkurruar më mirë në arenën globale, si dhe ka bërë thirrje për unitet dhe tolerancë, pavarësisht se Le Pen e quan naiv. Megjithatë, kushdo që do të fitojë, do ta udhëheqë Francën në një territor të paeksploruar më parë, duke qenë se asnjëri prej kandidatëve nuk vjen nga partitë kryesore dominuese të Parlamentit, që e kanë drejtuar vendin prej dekadash.