Presidenti i ri francez do të vizitojë Gjermaninë
https://parstoday.ir/sq/news/world-i50492-presidenti_i_ri_francez_do_të_vizitojë_gjermaninë
Presidenti i ardhshëm francez Emmanuel Macron do të vizitojë pak pas ardhjes në postin e ri Gjermaninë. Ndërsa kancelarja Angela Merkel i gëzohet bashkëpunimit franko-gjerman.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
May 08, 2017 15:34 Europe/Tirane
  • Presidenti i ri francez do të vizitojë Gjermaninë

Presidenti i ardhshëm francez Emmanuel Macron do të vizitojë pak pas ardhjes në postin e ri Gjermaninë. Ndërsa kancelarja Angela Merkel i gëzohet bashkëpunimit franko-gjerman.

Presidenti i ri i Francës Emmanuel Macron do ta marrë këtë post deri të dielën e ardhshme nga paraardhësi i tij François Hollande. Ndërsa udhëtimin e tij të parë jashtë vendit si president ai do ta realizojë në Gjermani, thotë eurodeputetja franceze Sylvie Goulard. Dilema e vetme është nëse Macron më parë do të vizitojë trupat franceze të stacionuara jashtë vendit, apo menjëherë do të shkojë në Berlin dhe të takohet me kancelaren Angela Merkel. Kanclerja Angela Merkel i gëzohet takimit me presidentin e ri Macron dhe shpreson vazhdimin e marrëdhënieve të mira në frymën e miqësisë gjermano-franceze, tha zëdhënësi i saj Steffen Seibert. Ndërsa vetë Merkel theksoi se "Franca dhe Gjermania duhet të udhëheqin Bashkimin Evropian drejt një të ardhme të sigurt". "Këto dy vende kanë një lidhje shumë të rëndësishme mes tyre. Unë i gëzohem shumë bashkëpunimit me presidentin e ri Macron", theksoi Merkel të hënën në Berlin. Por Merkel për momentin është e përmbajtur ndaj kërkesave që Gjermania të mbështesë edhe më shumë qeverinë e re franceze. Gjermania do të ndihmojë që të ulet edhe më shumë numri i të papunëve, në veçanti numri i të rinjve të papunë. Presim që së pari të njihemi me përfytyrimet dhe kërkesat e Macronit, tha Merkel. "Franca ka nevojë për rezultate konkrete në rrafshin ekonomik, uljen e papunësisë dhe integrimin", nënvizoi kancelarja gjermane duke shtuar se qeveria gjermane është gjithmonë e gatshme për ndihma në këtë aspekt. "Por mbështetja gjermane nuk mund të zëvendësojë politikën franceze", tha Merkel, e cila fitoren e Macronit ndaj nacionalistes Marinne le Pen e ka quajtur të mrekullueshme dhe shumë të rëndësishme për Evropën. Nga ana e tij, presidenti gjerman Frank-Ëalter Steinmeier tha se Gjermania do të jetë një partnere e mirë dhe e sigurt në anën e presidentit të ri Macron. Ndërsa kandidati i socialdemokratëve për kancelar, Martin Schulz uroi francezët për zgjedhjen e mirë dhe shtoi se tani ka ardhur koha që të bëjmë "një Evropë edhe më të mirë". Emmanuel Macron hodhi  sot hapat e parë si president i zgjedhur i Francës, por në vazhdim rrugëtimi i tij do të jetë më i vështirë. Macron trashëgon një nga postet më të fuqishme në Europë dhe të gjitha simbolikat që vijnë bashkë me të. Por problemet më akute duket se do të jenë tek qeverisja e Macron. Ai përballet me dy probleme të rëndësishme: mungesën e përfaqësimit politik dhe një vend thellësisht të përçarë. Përveç se është 39 vjeç, presidenti më i ri në moshë, Macron është gjithashtu i pari që ka dalë në skenë nga jashtë prej radhëve të dy partive kryesore që prej themelimit të republikës moderne në vitin 1958. Edhe pse gëzon mbështetje nga estabilishmentet politike socialiste dhe republikane, pjesa dërrmuese e kësaj mbështetjeje ka ardhur nga nevoja e tyre për të mundur rivalen e tij Marine Le Pen. Sigurisht, fitorja e Macron ka ngjallur optimizëm në radhët e vendeve të BE e vecanërisht në Gjermani. Vizita e tij në Gjermani është një sinjal i qartë për vazhdimin e bashkëpunimit të boshtit franko-gjerman si lokomotivë e BE-së në kushtet kur Britania po i jep lamtumirën unionit.