Valls largohet nga partia e tij dhe bashkohet me Macron
Fitorja e Emmanuel Macron në Francë i ka shtuar Brukselit besimin tek e ardhmja e bllokut europian.
Pas mposhtjes së ekstremit të djathtë në Austri dhe populistit të rrezikshëm holandez, Geert Wilders, kjo ishte dhurata më e mirë që mund t’i bëhej besimit tek uniteti europian. Por përpos entuziazmit të ngjallur në selinë e BE-së, 39-vjeçari po tërheq edhe rivalët e spektrit politik. Ish-kryeministri socialist francez, Manuel Valls deklaroi mbështetjen e tij për lëvizjen politike të Macron në zgjedhjet parlamentare të qershorit, duke u kthyer kështu në figurën më të lartë që dezerton partinë e vet, për t’u rreshtuar në krah të presidentit të zgjedhur të vendit. “Unë do të jem kryetari i shumicës presidenciale dhe uroj që edhe ju të gjithë t’i bashkoheni lëvizjes së tij, ‘Republika në marshim’. Republika është gjëja më e çmuar për ne. Republika, laicizmi, barazia mes burrave e grave. Jemi në një moment vendimtar”, tha Manuel Valls, ish-kryeministër i Francës. “Partia Socialiste vdiq”, ishte komenti i Valls për mediat ku sqaroi se kandidaturën e tij me forcën politike të Macron do ta paraqesë me një vizion mjaft të qartë. Ish-shefi i ekzekutivit ka pikëpamje të ngjashme biznesi me njeriun që arriti të marrë në duar çelësat e “Elizesë”, një garë ku edhe Valls vet synonte të merrte pjesë, por nuk arriti dot, pasi nuk mundi të sigurojë nominimin në parapraket e Partisë Socialiste të fituara nga Benoit Hamon. Ish kryeministri socialist francez Manuel Valls do të garojë nën logon e lëvizjes së presidentit të zgjedhur, Emanuel Macron, En Marche në zgjedhjet parlamentare të qershorit. Vendimi i Valls mund të jetë një nxitje për Macron, i cili ka nevojë të sigurojë shumicën në zgjedhje për të pasur një shans real për zbatimin e planeve ambicioze të reformave. Por Macron do ti duhet të jetë i kujdesshëm me afrimin e socialistëve në partinë e tij pasi kjo do të legjitimonte akuzat e kundërshtarëve të tij konservatorë se administrata e Macron do të jetë një vazhdim i administratës jopopullore të presidentit Francois Hollande. Ekspertët thonë se, pas triumfit të së dielës, Macron tani duhet të ofrojë rezultate, jo vetëm për mbështetësit e tij, por edhe për zgjedhësit skeptikë të së majtës, të cilëve iu duket tejet liberal. Emmanuel Macron, në harkun kohor të një viti, ka arritur të katapultohet në krye të shtetit francez, e megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se liberali ka ende një sërë pengesash që duhet të kalojë. Gjithçka nis në muajin gusht kur Franca do të mbajë një tjetër proçes të rëndësishëm siç janë zgjedhjet parlamentare. Macron ka një program ambicioz, i cili zor se do të mund të zbatohet pa patur shumicën në sallën legjislative. Sfida të tjera për Macron, sipas ekspertëve, janë përçarja e popullit francez, lufta kundër terrorizmit, mungesa e eksperiencës si dhe mënyra se si ai do të pozicionohet në arenën ndërkombëtare. Nëse nuk gjen një zgjidhje, Macron mund të ketë fatin e Presidentit Hollande, popullariteti i të cilit pati rënie të konsiderueshme, për shkak të pamundësisë për të parandaluar sulmet.Për të tjerë ekspertë, Emanuel Macron ka përdorur ashensorin dhe jo shkallët në ngjitjen e tij të befasishme në krye të shtetit francez dhe si rrjedhojë mund të ketë mungesë eksperience. Sa i përket politikës së jashtme, Presidenti i ardhshëm francez, do t’i duhet të luajë një rol të rëndësishëm në një kohë kur BE-ja ndodhet në momentin jo më të mirë të mundshëm, ndërsa me interes pritet të shihen marrëdhëniet që ai do të krijojë me liderët të tjerë botërorë.