Ish-kryeministri Valls bashkohet me Macron
Fitorja e Emmanuel Macron në Francë i ka shtuar Brukselit besimin tek e ardhmja e bllokut europian. Pas mposhtjes së ekstremit të djathtë në Austri dhe populistit të rrezikshëm holandez, Geert Wilders, kjo ishte dhurata më e mirë që mund t’i bëhej besimit tek uniteti europian.
Por përpos entuziazmit të ngjallur në selinë e BE-së, 39-vjeçari po tërheq edhe rivalët e spektrit politik. Ish-kryeministri socialist francez, Manuel Valls deklaroi mbështetjen e tij për lëvizjen politike të Macron në zgjedhjet parlamentare të qershorit, duke u kthyer kështu në figurën më të lartë që dezerton partinë e vet, për t’u rreshtuar në krah të presidentit të zgjedhur të vendit. “Unë do të jem kryetari i shumicës presidenciale dhe uroj që edhe ju të gjithë t’i bashkoheni lëvizjes së tij, ‘Republika në marshim’. Republika është gjëja më e çmuar për ne. Republika, laicizmi, barazia mes burrave e grave. Jemi në një moment vendimtar”, tha Manuel Valls, ish-kryeministër i Francës.