Protesta në Athinë
Punëtorë dhe pensionistë grekë bllokuan hyrjen e Ministrisë së Financave dje gjatë një proteste kundër marrëveshjes së qeverisë vendase me huadhënësit ndërkombëtarë e cila imponon shkurtime të tjera në bazë të refomave të reja që do të ndërmeren.
Protestuesit hynë në ambientet e brendshme të ndërtesës pesë katëshe dhe zbuluan një baner të madh në të cilin shkruhej “Njerëzit ngrihen kundër vjedhjes dhe talljes!” bëjmë thirrje për pjesëmarrje në një grevë të përgjithshme më 17 maj. Papunësia ka prekur çdo shtëpi, përfshirë pensionistët. Me reformat e reja që do të ndërmerren, situata do të përkeqësohet. Jemi në një xhungel dhe mendoj se do të ketë reagim të madh popullor për reformat e reja, thotë Markos Alexiou, 64 vjeç pensionist. Por zëdhënësi i qeverisë Dimitris Tzanakopoulos tha se Athina zyrtare mbetet e angazhuar për ti dhënë fund masave shtrënguese. Pas gjashtë muaj bisedimesh të tensionuara, Athina dhe huadhënësit e saj – BE dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar arritën një marrëveshje të përkohshme javën e kaluar mbi reformat e nevojshme për të përfunduar një rishikim të ndihmës dhe lëshimin e kredive të reja në vend. Por reformat do të përfshijnë ulje të mëtejshme të pensioneve tashmë të zvogëluara, dhe uljen e pragut tatimor. Greqia shpreson të marrë miratimin për marrëveshjen në një takim të Eurogrupit më 22 maj, por së pari duhet të kalojë reformat përmes parlamentit të Greqisë më 18 maj teksa sindikatat kanë planifikuar një grevë të përgjithshme një ditë më parë.