Vazhdon frika nga sulmet kibernetike ndërkombëtare
Sulmi kibernetik i së premtes preku më shumë se 200 mijë njerëz në 150 vende.
Të dhënat u bënë me dije nga shefi i “EUROPOL”, Rob Wainwright, në një interviste per mediat. Ai tha se akti ishte i pashembullt sa i takon nivelit të tij, teksa paralajmëroi sulme të tjera ne fillimin e javës në vazhdim. Virusi i rrezikshëm i së premtes mori kontrollin e dosjeve të përdoruesve të kompjuterave dhe kërkon pagesë për t’i hapur sërish. Rusia dhe Britania ishin dy vendet e goditura më rëndë. Në Rusi u prekën me mijëra kompjutera, ndërsa në Angli u godit rëndë Shërbimi Kombëtar Shëndetësor. Wainwright tha se “Ransomware”, ishte kombinuar me një aplikacion krimb që lejon që “infektimi i një kompjuteri të përhapet shpejt në të gjithë rrjetet”. Ai shtoi se: “Kjo është arsyeja pse ne po shohim që këto numra të rriten gjatë gjithë kohës”. Ndërkohë ekspertët e sigurisë kanë paralajmëruar se një sulm tjetër është shumë i afërt dhe mund të jetë i pandalshëm. Në këtë kuadër, shefi i “EUROPOL”, Wainwright tha se është i shqetësuar se numri i njerëzve të prekur nga virusi kompjuterik do të rritet, kur ata të kthehen në punë. “Po përballemi me një kërcënim në përshkallëzim dhe shifrat po rriten. Ne kryejmë rreth 200 operacione globale në vit kundër krimit kibernetik, por s’kemi parë kurrë diçka të tillë”, deklaroi Wainwright. Vala e sulmit kibernetitk e përhapur në 150 vende është ngadalësuar, pavarësisht raporteve për disa sulme të reja në Azi dhe Evropë të hënën. Në Azi, ndërkohë, pati mjaft probleme e autoritetet nuk e përjashtojnë mundësinë e një ripërsëritjeje të sulmit. “Për momentin, 70 deri në 80% e sistemit është ‘online’. Disa veprime të caktuara nuk i bëjmë dot, siç është për shembull lidhja me internetin, sepse u shkëputëm për pak kohë. Kështu që nuk hyjmë dot te baza e të dhënave të pacientëve në faqen e Shërbimit Shëndetësor Kombëtar”, tha Abdul Kadir, drejtor i spitalit “Dharmais” në Indonezi. Episodi do të kishte marrë përmasa shumë më të mëdha, nëse nuk do të ishte ndaluar rastësisht nga dy të rinj: 22-vjeçari britanik Marcus Hutchins, i specializuar në programimin kompjuterik dhe një inxhiner 20-vjeçar amerikan, i specializuar në sigurinë kibernetike. Ndërhyrja e tyre, por sidomos britanikut Hutchins mund t’i ketë kursyer miliona dollarë kompanive private dhe atyre qeveritare, ndërsa frenoi përhapjen masive të virusit në SHBA dhe vende të tjera. Sidoqoftë kompani të ndryshme kanë porositur stafin të jetë i kujdesëm gjatë punës ndërsa kompani të tjera kanë punësuar ekspertë të posaçëm për këtë situatë. Deri tani qindra mijëra kompjuterë janë prekur nga virusi kurse gjiganti kompjuterik Microsoft tha se sulmi duhet të shërbejë si një thirrje zgjimi. Ndër organizatat në shënjestër në mbarë botën kanë qenë rrjeti hekurudhor i Gjermanisë, Deutsche Bahn, operatori spanjoll i telekomunikacionit Telefonica, gjiganti logjistik i SHBA FedEx dhe ministria e Brendshme e Rusisë. Sipas Europol, situata në Evropë duket e qëndrueshme kurse numri i viktimave nuk duket të jetë rritur. “Duket se shumë njerëz të sigurisë në internet gjatë fundjavës kanë bërë detyrat e shtëpisë dhe kanë kryer përditësimet e softuerit të sigurisë”, thotë zëdhënësi i Europol. Kurse agjencia Kombëtare e Krimit në Mbretërinë e Bashkuar tha se nuk ka pasur goditje të tjera por kjo nuk jep garanci se nuk do të ketë në ditët në vijim. Edhe në Azi, ndërkohë, pati mjaft probleme dhe autoritetet nuk e përjashtojnë mundësinë e një ripërsëritjeje të situatës. Kodi dëmtues i sulmit kibernetik, i pagëzuar “WannaCry” bllokoi kompjuterat e mbi 200 mijë personave në 150 vende të botës. Më së shumti, ai goditi rrjetet kompjuterike të spitaleve, bankave dhe agjencive qeveritare.