Greqi: Masa të reja shtrënguese, protesta massive
Parlamenti grek miratoi me 153 vota pro të deputetëve të partive të koalicionit qeveritar, nga 281 ligjvënës të pranishëm në sallë, projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes me kreditorët, që përmban një paketë të re masash shtrënguese, me vlere 4.9 mld euro , midis të cilave reduktimin e pensioneve dhe rritjen e taksave.
Në kohën kur brenda Parlamentit grek, Qeveria “Tsipras” po përballej me opozitën në debatin për votimin e masave shtrënguese që duhet të marrë Greqia me qëllim marrjen e dorëzanisë së radhës prej FMN-së dhe Bashkimit Europian, mijëra grekë protestonin jashtë godinës kundër këtyre masave. Protestuesit e udhëhequr prej sindikatave kërkuan prej ligjvënësve grekë që të mos i votojnë ato, me gjithë kërcënimin e “Trojkës” se nëse masat shtrënguese nuk votohen, atëherë programi i ndihmës për Greqinë nuk do të vazhdojë dhe vendi do të përballet me një “Grexit” të mundshëm. Sindikatat thonë se programi i masave nuk do të funksionojë dhe taksat që qeveria do t’iu shtojë grekëve do t’i sjellin vendit recesion. Sindikalistët këmbëngulin se ka mundësi të tjera, veç taksave, për t’i dhënë shtysë ekonomisë greke që ndodhet në kolaps të plotë. Gjatë protestës së mbrëmjes në sheshin “Sindagma” të Athinës, një grup prej 150-200 protestuesish hodhën bomba molotov dhe sende të forta kundër forcave të rendit, të ngarkuara me ruajtjen e rendit. Manisë shkatërruese të ekstremistëve anarkistë nuk i shpëtoi as “post-roja” e rojeve presidenciale “Evzoneve”, ku si pasojë e sulmit me molotovë një prej tyre mori flakë dhe u shkatërrua plotësisht. Pamjet e sulmit mbi godinën e “Evzoneve” greke jashtë Parlamentit në Athinë, tashmë kanë filluar të bëjnë xhiron e botës, gjë që pritet të dëmtojë imazhin e vendit në kulmin e sezonit turistik, industrisë së vetme fitimprurëse që ka aktualisht vendi.