Takimi i grupit G7 në Sicilia të Italisë
Në Sicilia të Italisë është organizuar samiti i 7 vendeve më të industrializuara të botës të quajtur G7. Grupi G7 përbëhet nga Amerika, Kanadaja, Gjermania, Britania, Franca, Italia dhe Japonia.
Samiti dy-ditor i G7-ës, i cili nisi ditën e sotme, pritet të jetë një prej më sfiduesve të zhvilluar ndonjëherë, ndikuar kjo nga qëndrimet e ndryshme që kanë liderët për çështje me rëndësi, si klima dhe shkëmbimet tregtare. Presidenti Trump ka qenë një kritik i para-ardhësit të tij, Barack Obama për politikat mjedisore, ndërsa i cilëson shkëmbimet tregtare aktuale, si jo-favorizuese për Shtetet e Bashkuara. Sipas ekspertëve, Merkel dhe Macron, do të përpiqen që në këtë takim të zbusin qëndrimet e liderit të Uashingtonit. Liderët e shtatë vendeve me ekonomitë më të zhvilluara të botës nisën diskutimet në kuadër të samitit dy ditor të G7-ës, i cili po zhvillohet në Itali, teksa në mbledhjen e kësaj radhe bien në sy qëndrimet e kundërta të Presidentit Donald Trump me përfaqësuesit e shteteve të tjera. Dy nga çështjet më të debatuara kanë qenë padyshim klima dhe shkëmbimet tregtare. Lideri i Shteteve të Bashkuara ka ndryshuar tërësisht linjën e para-ardhësit të tij Barack Obama, kur flitet për çështjet mjedisore. Ai ka premtuar gjithashtu se do të zhbëjë Marrëveshjen e Klimës, e cila u arrit në Paris. Sa i përket ekonomisë, Presidenti amerikan ka kritikuar shkëmbimet tregtare të cilat sipas tij, nuk janë aspak favorizuese për ekonominë e Shteteve të Bashkuara. Në veçanti, Trump është ndalur tek tregu i automjeteve, duke thënë se numri i makinave gjermane që shiten në ShBA është shumë herë më i lartë me të anasjellën. Çështjet për të cilat palët pritet të dalin me një linjë të përbashkët janë lufta kundër terrorizmit, mbajtja e një qëndrimi më të ashpër ndaj Koresë së Veriut si dhe shfaqja e unitetit përpara Rusisë. Sipas ekspertëve, në këtë mbledhje liderët do të përpiqen të bindin Trump për të zbutur disi qëndrimet e tij kontroverse. Megjithatë, pavarësisht këtyre përpjekjeve, shanset që Presidenti amerikan të lëshojë pe, duket se janë mjaft të pakta. Më herët, edhe Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, e cilësoi takimin si një nga më sfiduesit ndër vite. Ai e pranoi se nuk është një sekret që liderët e G7-ës kanë qëndrime ndryshme për çështje të caktuara, por shtoi se BE do të bënte përpjekje maksimale për të ruajtur unitetin në të gjitha frontet. Ndërsa liderët e 7 vendeve më të fuqishme të botës janë mbledhur në Taormina të Sicilisë për zhvillimin e Samitit të radhës së G7, rreth 3500 do të protestojnë në rrugët e këtij qytetit për t’i thënë Jo axhendës së reduktuar të punimeve të tij. Në një konferencë të mbajtur në shesh të hapur manifestuesit do të përpiqen të tërheqin vëmendjen mbi tema të pa trajtuar në këtë samit si vdekja çdo ditë e më shumë e emigrantëve që përpiqen të mbërrijnë në Euro pe, varfëria e uria në shumë vende të botës, politikat e militarizimit, fuqia ekonomike e përqendruar në duart e pak personave, pabarazia e frikshme ekonomike globale, rrezikimi i sistemit të garancive sociale një betejë e fituar prej shumë dekadash etj. Manifestuesit kanë zgjedhur të asistohen gjatë protestës së tyre nga një grup i përbërë prej 5 avokatësh të cilët do të mbikëqyrin mbi garancinë e së drejtës për të manifestuar, për t’u informuar, për lirinë e mbrojtjen personale e të drejtën kushtetuese të lirisë e shprehjes.