Kina dhe BE kundër politikës së Trump mbi klimën
Liderët e Bashkimit Europian dhe Kinës pritet të publikojnë shumë shpejt një qëndrim të përbashkët sa i përket marrëveshjes së arritur në Paris për ndryshimet klimaterike, ku do të shfaqin angazhim maksimal në lidhje me zbatimin e arkodit.
Sipas ekspertëve, ky dokument është një qëndrim kundër qëllimit të Presidentit amerikan Donald Trump, për t’u tërhequr nga pakti që gjeti përkrahjen e 195 vendeve të botës. Liderët dhe përfaqësuesit e Bashkimit Europian dhe Kinës nënvizojnë rreziqet që u kanosen planetit si rrjedhojë e rritjes së temperaturave. Gjithashtu, palët kërkojnë përmirësimin e strategjive për përdorimin e energjisë së pastër, si një rrugëzgjidhje. “Bashkimi Europian dhe Kina e konsiderojnë një sukses historik akordin për të kufizuar emetimin e gazeve të dëmshme në atmosferë”, shkruhet më tej në qëndrimin e përbashkët. Ditën e sotme, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar se do të japë verdiktin e tij përfundimtar, nëse do të pranojë të zbatojë marrëveshjen, apo nëse do të tërhiqet prej saj. Megjithatë, një ditë më parë, mediat amerikane raportuan se lideri i Uashingtonit ka marrë vendimin për t’u tërhequr. Në deklaratat e mëparshme, Trump e ka cilësuar një shaka akordin e Parisit. Tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja do të përbënte një humbje të madhe në kuadër të përpjekjeve për ruajtjen e mjedisit. Për t’u theksuar është fakti se marrëveshja e Parisit, përbën herën e parë në histori që 195 vende të botës, bien dakord për një çështje të caktuar.