20 të vdekur dhe 119 të plagosur nga shpërthimet në Kabul
Të paktën 20 persona u vranë dhe 119 të tjerë janë plagosur në tre shpërthime që u regjistruan sot në Kabul, gjatë ceremonisë mortore të një personi i cili u vra një ditë më parë gjatë protestave për shkarkimin e qeverisë afgane.
“Informacionet e para bëjnë të ditur për të paktën dhjetë të vdekur”, tha Najib Danish zëdhënës i Ministrisë së Brendshme afgane. “Një numër i konsiderueshëm personash u vranë gjatë ceremonisë funebre të Salim Ezadyarit”, djali i një politikani të shquar afgan”, u shpreh për median dëshmitari Abdul Wudood. Përgjegjësia për tre shpërthimet është ende e paqartë, teksa autoritetet vendase kanë paralajmëruar për sulme të tjera dhe u kanë bërë thirrje njerëzve të qëndrojnë larg tubimeve, pasi mund të kthehen në shënjestra të militantëve. Aktualisht, rrugët në Kabul patrullohen nga autoblinda, ndërsa forca të shumta të rendit kanë bllokuar pikat kyçe të qytetit, duke ngritur edhe postoblloqe. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e qeverisë së Presidentit Ashraf Ghani dy ditë pas shpërthimit vdekjeprurës me kamion – bombë në Kabul, ku humbën jetën mbi 100 persona. Shpërthimi ndodhi shumë pranë selive diplomatike të shteteve të huaja.