Largimi i forcave gjermane nga Turqia
Pas shumë polemikash mes qeverive të Gjermanisë dhe Turqisë, ajo gjermane ka deklaruar se do të zhvendosë bazën dhe personelin e saj ushtarak nga Turqia, për shkak të mosmarrëveshjeve me Ankaranë zyrtare.
Konkretisht, vendimi i komunikuar nga ministrja e Mbrojtjes Ursula von der Leyen është marrë pas refuzimit të qeverisë turke për të lejuar deputetët gjermanë të vizitonin bazën në Inxherlik. Bisedimet e zhvilluara mes palëve këtë të hënë në kryeqytetin turk dështuan dhe ministrit të Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel nuk i mbeti gjë tjetër veçse të konfirmonte mosmarrëveshjet dhe lëvizjen e 250 trupave gjermane dhe pajisjeve ushtarake. Siç tha ai, arsyeja ishte pikërisht ajo se homologu turk Mevlut Çavushoglu i kishte komunikuar se deputetët gjermanë nuk mund ta vizitojnë bazën. Ndërkohë, ministrja Von der Leyen deklaroi se prania ushtarake në Turqi do të vendoset në bazën ajrore të Azrakut, në Jordani, vend që ka pranuar kërkesën e Gjermanisë. Gjermania e përdor bazën edhe për avionin-çisternë, për të furnizuar me karburant avionët luftarakë që marrin pjesë në fushatën kundër ISIS. Gjatë kohës që do të kryhet zhvendosja do të ketë një ndërprerje të operacioneve, që sipas ministres do të zgjasë disa javë. Qeveria në Berlin pritet të miratojë zyrtarisht transferimin e bazës më vonë gjatë këtij muaji.