May përpiqet të formojë qeverinë e re me unionistët irlandezë
https://parstoday.ir/sq/news/world-i52812-may_përpiqet_të_formojë_qeverinë_e_re_me_unionistët_irlandezë
Me 319 ndenjëse në Parlament, Partia Konservatore e Theresa May konfirmohet forcë e parë në Britaninë e Madhe, por qeveria e re britanike do të jetë në koalicion me Partinë Demokrate për Bashkimin.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Qershor 09, 2017 16:57 Europe/Tirane
  • May përpiqet të formojë qeverinë e re me unionistët irlandezë

Me 319 ndenjëse në Parlament, Partia Konservatore e Theresa May konfirmohet forcë e parë në Britaninë e Madhe, por qeveria e re britanike do të jetë në koalicion me Partinë Demokrate për Bashkimin.

May ka premtuar se udhëheqja e re do të çojë përpara vendin dhe bisedimet e rëndësishme të Brexit. Ndërkohë, Partia Laburiste do të ketë 261 ndenjëse në Parlamentin britanik. Theresa May merr mandatin për krijimin e qeverisë, edhe pse partia e saj humbet shumicën në parlament. May vizitoi në mesditë Mbretëreshën Elizabeth në Pallatin Buckingham dhe më pas nga Downing Street, ajo deklaroi se vetëm partia e saj mund të formonte një administratë legjitime bashkë me Partinë Demokrate për Bashkimin për të qeverisur vendin. Sipas May, proçesi i Brexit do të vijojë ashtu siç ishte planifikuar më parë. Kryeministrja Theresa May duke folur para gazetarëve: “Do të krijoj një qeveri që mund të japë siguri dhe ta udhëheqë Britaninë përpara në këto momente kritike për vendin tonë. Kjo qeveri do të udhëheqë vendin në bisedimet e vendimtare të Brexit që fillojnë në vetëm 10 ditë. Kjo qeveri do të punojë që vendi ynë të jetë i sigurte”. Partia Konservatore e Theresa May arriti të merrte 319 nga 326 ndenjëset e kërkuara në Parlament për të patur shumicën. Rezultati shokues për kryeministren ka sjellë nga ana tjetër një avancim të laburistëve në opozitë. Përfundimi i papritur i një fushate të mbushur me parashikime për fitore historike të konservatorëve, ka ngritur menjëherë pikëpyetje nëse May duhet të vazhdojë ta ruajë pozicionin e saj në Downing Street apo duhet të dorëhiqet.  Ai po kështu rrezikon të çorientojë planet e kushteve të largimit nga Bashkimi Europian, duke rrezikuar ta lërë Britaninë të paorganizuar vetëm disa ditë përpara fillimit të bisedimeve me liderët europianë.  Ishte vetë May ajo që i kërkoi zgjedhjet e parakohshme. Ky rezultat përcaktohet si një poshtërim për kryeministren aktuale, Theresa May, e cila thirri këto zgjedhje për të forcuar pozitat e saj në bisedimet me BE-në, në lidhje me BREXIT. Parlamenti anglez ka 650 deputetë dhe për të formuar shumicën parlamentare, partive u duhet minimumi  326 deputetë. Rezultati përbën një zhgënjim për konservatorët, pasi Kryeministrja kërkoi zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme për të rritur shumicën e tyre në Parlament e për të vijuar me procesin e divorcit zyrtar nga Bashkimi Europian. Me këtë rezultat surprizues, vendi tashmë do të ketë një Parlament të varur ku në opozitë do të jenë laburistët me 261 ndenjëse. Pikërisht lideri i laburistëve, Jeremy Corbyn, i kërkoi May të jepte dorëheqjen pas këtij rezultati duke shprehur gatishmërinë e partisë së tij për të shërbyer. Reagimet e vetë shtypit britanik kanë qenë të forta, me tituj si ai i “The Sun” që ndryshonte mbiemrin e kryeministres, duke e quajtur Theresa Dismay, apo frika, duke iu referuar drojës së britanikëve nga Brexit. Për gjermanët, goditja ndëshkuese e publikut britanik ndaj kryeministres, së cilës i mohoi një mandat më të fortë, do t’i bëjë bisedimet e Brexit-it akoma më të vështira e më komplekse.