May humb shumicën pavarësisht se fitoi 318 ulëse në parlament
https://parstoday.ir/sq/news/world-i52838-may_humb_shumicën_pavarësisht_se_fitoi_318_ulëse_në_parlament
Votuesit britanikë i kanë dhënë kryeministres dhe udhëheqëses së Partisë Konservatore Tereza May një goditje shkatërruese në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme, duke i shkaktar humbjen e shumicës parlamentare dhe duke e çuar vendin në trazira politike.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Qershor 09, 2017 20:20 Europe/Tirane
  • May humb shumicën pavarësisht se fitoi 318 ulëse në parlament

Votuesit britanikë i kanë dhënë kryeministres dhe udhëheqëses së Partisë Konservatore Tereza May një goditje shkatërruese në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme, duke i shkaktar humbjen e shumicës parlamentare dhe duke e çuar vendin në trazira politike.

Rezultati shokues për kryeministren ka sjellë nga ana tjetër një avancim të laburistëve në opozitë. Përfundimi i papritur i një fushate të mbushur me parashikime për fitore historike të konservatorëve, ka ngritur menjëherë pikëpyetje nëse May duhet të vazhdojë ta ruajë pozicionin e saj në Doëning Street apo duhet të dorëhiqet.  Ai po kështu rrezikon të çorientojë planet e kushteve të largimit nga Bashkimi Europian, duke rrezikuar ta lërë Britaninë të paorganizuar vetëm disa ditë përpara fillimit të bisedimeve me liderët europianë.  Ishte vetë May ajo që i kërkoi zgjedhjet e parakohshme, me qëllimin të forconte pozitat e saj në negociatat e Brexit-it, ndaj rezultati konsiderohet poshtërues për të. Parlamenti anglez ka 650 deputetë dhe për të formuar shumicën parlamentare, partive u duhet një minimum prej 326 deputetësh.  Konservatorët kanë mundur të marrin vetëm 318 të tilla, ndërsa dy vjet më parë kishin arritur të siguronin 331 vende. Paradoksalisht, kryeministrja britanike Theresa May, pas rezultatit shokues të zgjedhjve të së enjtes, do të ketë të njëjtin numër votash në një koalicion të ri me partinë demokratike të unionistëve, që janë mbështetësit e qëndrimit të Irlandës së Veriut nën kontrollin britanik. Pas autogolit spektakolar, sërish duket se konservatorët do të kualifikohen me golavarazh. Kryeminsitrja britanike, pasi mori bekimin e Mbretëreshës, do të drejtojë Britaninë me një qeveri pakice, pasi asnjë nga partitë në Parlamentin e ri nuk ka shumicën. Formatimi i qeverisë së re duket se bazohet në të njëjtat figura kryesore politike të qeverisë së kaluar. Ajo që do të ndryshojë janë marrëdhëniet e qeverisë së re me Parlamentin e ri të balancuar politik dhe negociatat e vështira me BE-në për “Brexit”, i cili pas tërmetit politik duket se do të jetë më i butë sesa një ditë më parë, pasi kështu duket se ka vendosur elektorati britanik. E ndërkohë që laburistët e opozitës arritën një rezultat spektakolar, me një shtim të elektoratit, i paparë që nga koha e Luftës së Dytë Botërore, nacionalistët e Skocisë përgjysmuan numrin e deputetëve, duke vënë në pikëpyetje mundësinë e një referendumi të dytë për shkëputjen e Skocisë nga Britania. Ashtu si ish-kryeministri Cameron, edhe kryeministrja May kërkoi votim publik pa ia kërkuar askush, për të përjetuar një bumerang spektakolar për karrierën e tyre politike. Në kushtet kur pas zgjedhjeve asnjë parti politike nuk ka shumicën për krijimin e qeverisë, pa koalicion me partnerët e tjerë të vegjël, mbetet të shihet se si do të operojnë konservatorët, të cilët me deputetë nga Irlanda e Veriut mund të krijojnë në teori një qeveri. Ciladoqoftë rruga për të krijuar shumicën, ku të drejtën për të formuar qeverinë e kanë konservatorët e kryeministres si partia më e madhe në Parlament, çdo qeveri e dalë dukshëm nuk do ketë atë mandat që shtyu kryeministren të thërrasë zgjedhjet e parakohshme.  Çdo qeveri e re britanike do të jetë shumë e dobët në negociatat e ardhshme për Brexit me Bashkimin Evropian, të cilat pritet të fillojnë pas 11 ditësh. Teorikisht, edhe laburistët mund të jenë partia që mund të kërkojnë krijimin e kabinetit të ri në koalicion me aleatë të tjerë në Parlament.