Brexit temë kryesore e takimit të zyrtarëve anglezë dhe francezë
Presidenti francez, Emmanuel Macron tha se dyert e BE-së do të mbeten të hapura për Britaninë gjatë negociatave për “Brexit”-in që do të nisin javën e ardhshme.
Në disa komente, që u konsideruan si shenjë inkurajimi nga kundërshtarët e një “Brexit”-t të ashpër, se ka vend për kompromis, presidenti i ri francez tha se vendimi për t’u larguar nga BE-ja mund të rishikohet, nëse Britania e Madhe e do këtë. Duke folur në kopshtet e Pallatit “Elysee” në Paris, në një konferencë të përbashkët për shtyp me Theresa May, Macron bëri të qartë se respektonte vendimin sovran të popullit britanik. Sidoqoftë, ai shtoi se “derisa negociatat të arrijnë një përfundim, ka gjithnjë një mundësi për të rihapur dyert”. Macron sugjeroi gjithashtu se koha është thelbësore, duke thënë se “ndërsa negociatat vazhdojnë, do të jetë gjithnjë e më e vështirë të ketë kthim prapa”. Vizita e parë e kryeministres May jashtë vendit, pas zgjedhjeve të përgjithshme të së enjtes së kaluar, në të cilat ajo shpresonte të fitonte një mbështetje më të madhe, duhet të ishte një rast triumfator. Por, vizita në kryeqytetin francez u la disi në hije, nga zhgënjimi për rezultatin e zgjedhjeve dhe negociatat me unionistët demokratë të Irlandës së Veriut. E pyetur nëse dështimi i saj për të siguruar shumicën në zgjedhjet e javës së kaluar, që rezulton në një Parlament pa shumicë, do ta çonte Britaninë drejt një “Brexit”-i më të zbutur, May tha se ajo mbetej e vendosur për ta bërë procesin të suksesshëm, por tha se do të donte të ruante një partneritet të thellë dhe special me BE-në. Nga ana e saj, Kancelarja gjermane Angela Merkel thotë se dështimi i kryeministres Theresa May në fitoren e shumicës në zgjedhjet e përgjithshme të së enjtes, nuk ka përse të pengojë fillimin e negociatave për Brexit-in në kohën e përcaktuar. Duke theksuar se BE-ja ishte gati për bisedimet, kancelarja tha se beson që edhe Britania do të respektojë afatet. Në deklaratën e saj të parë që kur Partia Konservatore e May humbi 13 vende në Parlament, Merkel shtoi se shpresonte që Britania e Madhe të mbetej një partner i mirë pas bisedimeve. Gjithsesi, ajo kujtoi se prioritet mbeteshin interesat e 27 vendeve të tjera anëtare. "Kur Britania e Madhe të jetë gati, ne jemi gati të negociojmë. Kemi përfunduar planin dhe shpresoj që edhe Londra të respektojë afatet e përcaktuara. Duam ta bëjmë sa më shpejt dhe nuk shohim ndonjë pengesë në finalizimin e bisedimeve", tha Merkel. Rezultatet e zgjedhjeve ishin një goditje e rëndë për May, e cila kërkoi votimin për të forcuar pozitat në negociatat për Brexit-in. Por tani, humbja e shumicës i ka zhytur negociatat në pasiguri. Më herët, një zëdhënës i Merkelit refuzoi të komentonte lidhur me çështjen, në shenjë mirësjelljeje e respekti, derisa të përfundojë procesi i formimit të qeverisë së re në Britani.